Ram 1500 Trx
702 kuaj fuqi për një pick-up me muskuj
Ram, dikur modeli më i famshëm i markës Dodge, tashmë markë më vete, përfaqëson një simbol në tregun amerikan dhe kësaj rradhe, prodhuesi italo-amerikan ka vendosur t’i shpallë luftë të hapur Ford-it F150.
Në një version të veçantë të pagëzuar Raptor (kliko këtu për Ford Raptor) Ford ofron një version sportiv të modelit F150 dhe Dodge nuk ka pritur shumë për të pranuar dorashkën e sfidës. Quhet Ram, tashmë një markë më vete dhe në versionin special merr siglën TRX. Dodge deklaron se Ram 1500 TRX është aq ambicioz sa do të rishkruajë historinë e pick-up-it amerikan duke vendosur një standard të ri performance. Me estetikë të përpunuar, teknologji të pasur dhe një motor me nam siç është ai V8 Hellcat 6.200 kubikë, njësi e përdorur në modelet e tjera sportive si Jeep Grand Cherokee Trackhawk (kliko këtu për artikullin) apo Dodge Challenger.
Njësia V8 e vendos Ram 1500 TRX në fronin e pickup-it më të fuqishëm të prodhuar ndonjëherë. Fuqia është plot 702 kuaj që e kombinuar me një moment rrotullues 881 Nm premton vërtet shumë. Për t’ju dhënë një ide, Ram 1500 TRX merr emrin nga dinozauri T-Rex, ekzemplari i fuqishëm i cili shqyente lirshëm dinozaurë të tjerë rreth tij në një prej episodeve të sagës Jurassic Park.
Telaio e Ram 1500 TRX është e përforcuar së bashku me shasinë, pjesë e së cilës janë edhe amortizatorët me kontroll elektronik. Falë teknologjisë, amortizatorët ofrojnë ekskursion të zgjeruar deri në 33cm përpara dhe 35,5 mbrapa. Kambio është automatike e llojit ZF TorqueFlite 8HP95 me tetë marsha ndërsa sistemi i transmetimit është i njëjtë me Trackhawk. Ram 1500 1500 Trx mund të përshpejtojë nga 0-100 km/h për 4.6 sekonda, një kohë prej një makine sportive prej piste, pavarësisht se shpejtësia maksimale është vetëm 190 km/h.
Gomat e këtij modeli janë zhvilluar posaçërisht nga Goodyear me përmasa gjigande 325/65 R18 të projektuara për ecje jashtë asfaltit, në baltë, terren shkëmbor, përveç rërës dhe borës. Ram 1500 TRX nuk i druhet vështirësive me 30 cm lartësi nga toka dhe kënde optimale pjerrësie (30,2° në hyrje dhe 23,5° në dalje). TRX është 22 cm më i gjerë se versioni 1500 normal ndërsa gjatësia është 6.14m.
Doni të dini sa konsumon TRX? 20 litra/100 km në qytet dhe 13 litra/100 km në autostradë. Jashtë asfaltit mund të jetë krejt tjetër histori, por atje është e rëndësishme të mos ngecësh dhe të dalësh nga ana tjetër, jo të kursesh karburant 🙂
Për të blerë versionin “bazë”, një amerikan duhet të bëjë gati 69.995 dollarë, jo pak për një makinë, edhe sepse janë 16.500 dollarë më shumë se çmimi i një Fordi F-150 Raptor, por ndoshta jo shumë për dinozaurin e pickup-ëve.