na ndiq ne

Provuam për ju Skoda Octavia 2.0 TDI

21/08/2020

Asgjë nuk është si më parë  

Vërtet, asgjë nuk është më si më parë në Octavia-n e re, duke filluar nga çelësi, i realizuar me materiale dhe finiturë që mund t’i bëjë zili një marke premium. Artikulli ynë prezantues pas debutit të Octavia-s së re (kliko këtu për artikullin) nëntitullohej “Lamtumirë low cost!” Në fakt efekti kur e sheh nga afër është pozitiv njësoj si në foto.

Nga jashtë Octavia e re ka një design të ri me më shumë personalitet dhe detaje. Linja të mprehta dhe gjeometrike, të punuara në reliev dhe detaje si fenerët Led apo elementët e kromuar i japin më shumë karakter dhe identitet. Nga brenda spikasin menjëherë dy gjëra: hapësira e bollshme dhe e mirëorganizuar, tipike për një Skoda dhe teknologjia e pranishme. Hapësira është optimale për çdo pasagjer në bord ndërsa bagazhi ka jo vetëm kapacitet të madh, 600 litra, por edhe mundësi shfrytëzimi, me hapjen e derës së bagazhit që lëviz së bashku me xhamin e pasëm, duke mundësuar çdo lloj ngarkese pa më të voglin stress. Për pasagjerët ofrohet një vizibilitet i mirë me dritë të bollshme në kabinë, meritë e sipërfaqeve të mëdha të xhamit. 

Teknologjia në bord është e pasur. Dy ekranë Led, butonat thuajse të zhdukur, një “switch” që shërben si levë marshi (për versionet me kambio automatike) dhe timoni me komanda të integruara dhe formë të re të goditur flasin qartë për këtë gjeneratë. Skoda Octavia e re është bërë ambicioze, ndoshta duke kopjuar pak nga markat premium të grupit, por në mënyrën e saj.

Format dhe ergonomia e kruskotit të bindin që në fillim, por çdo gjë kompletohet me ndezjen e dy ekraneve led. Befas gjendesh i rrethuar nga një mori informacionesh dhe funksionesh të ndërtuara rreth shoferit. Kuadri dixhital ofron informacionet e rëndësishme gjatë guidës përfshirë regjimin e motorit, shpejtësinë, konsumin e karburantit, autonominë e mbetur, hartat e navigatorit (opsional), etj. 

Sistemi infotainment është qendra e komandës së makinës për shumë funksione si kontrolli i presionit të gomave, aktivizimi i “start&stop” dhe një mori funksionesh të tjera. Ndërlidhja me celularin mundësohet nëpërmjet Bluetooth, Apple car play dhe Android Auto. Në pamje të parë informacioni është masiv dhe ambjentimi fillestar kërkon njëfarë kohe, por niveli i lartë i teknologjisë nuk është asnjëherë i dëmshëm.

Me një gisht lëvizim levëzën e kambios duke e pozicionuar në D. Që në metrat e parë Skoda Octavia të jep ndjesinë e një guide pupël. Motori 2.000 kubikë TDI reagon që në prekjet e para të pedalit të gazit. Ky motor premton performancë të mirë me një kohë prej 8.4 sekondash për të shkuar nga 0 – 100 km/h. Fuqia 150 kuaj ndoshta nuk duket shumë në pamje të parë, por ofron vërtet shtytjen që i duhet Octavia-s në çdo terren, duke dhuruar edhe një dozë të mirë kënaqësie në guidë.  

Ndërkohë që marrim rrugën dytësore përkrah autostradës Tiranë – Durrës, Octavia tregon se mund të parakalojë pa stress dhe madje pa patur nevojë të përgatitemi për parakalim. Në çdo moment, mjafton të shtypim gazin dhe Octavia do të bëjë pjesën tjetër. Kambio DSG, me dopio freksion dhe shtatë marsha bën një punë shumë të mirë. Motori punon në regjim optimal dhe ndërrimet e marshave janë thuajse të paperceptueshme. Një shofer furgoni i paduruar, duke na prerë rrugën, na jep mundësinë të provojmë frenat. Përgjigjia e pedalit është e menjëhershme, e fortë, por e kontrollueshme.

Pasi marrim autostradën, kemi mundësi të shohim se Octavia ofron një izolim të mirë akustik dhe guida është shumë e qetë. Kambio DSG gjen kollaj marshin më të përshtatshëm për t’i lejuar motorit të punojë në regjim minimal, në dobi kjo të zhurmës dhe të konsumit. Këtu mund të gradojmë shpejtësinë dhe të lëmë Cruise Control të bëjë pjesën tjetër. Ky funksion, i shoqëruar me “Lane assistant” (ruajtjen e korsisë) ofrojnë një kombinim perfekt për të ecur pa stress edhe për qindra kilometra. Të dyja këto opsione ofrohen që në versionin bazë, jo tipike për një makinë të kësaj kategorie. 

Në guidën në qytet, Octavia është një makinë e lehtë për t’u drejtuar, pavarësisht përmasave që nuk janë ato të një makine kompakte. Manovra e parkimit është shumë e thjeshtë me sensorët e parkimit para dhe mbrapa dhe kamerën pasme, ndërsa për gjetjen e një vendi parkimi në xhunglën urbane të Tiranës duhet vetëm pak durim 😊 

Vendosim ta dalim nga qyteti për të provuar një rrugë me kthesa. Këtu kemi mundësinë të testojmë platformën MQB EVO, e kolauduar në shumë modele të tjera të grupit, si ajo e kushërirës A3 për shembull. Octavia të jep ndjesinë e një trupi atletik, të lehtë në manovra, por të qëndrueshëm dhe të sigurtë. Timoni mund të quhet “turistik”, pasi ofron një përgjigje të mirë në guidë normale duke ndjekur trajektoret me precisionin e nevojshëm. Në guidën sportive përgjigja është më pak e spikatur me pak vonesë tipike të tërheqjes përpara, megjithatë ofron siguri të plotë dhe nuk të tradhëton asnjëherë. Kambio DSG ofron një përgjigje të mirë, por e graduar në “S” (Sport) përmirësimi është i ndjeshëm. Regjimi i motorit rritet dhe DSG ofron këtu një përgjigje shumë më të shpejtë dhe reaktive. Me dyshimin nëse mund të bëhet akoma më mirë, duke tërhequr levëzat pas timonit, e kalojmë Octavian në komandim manual të marshave. Ok, 150 kuaj nuk janë tamam një Porsche, por ndjesia është ajo e një përmirësimi të mëtejshëm falë kontrollit të plotë të marshave në çdo moment. 

Në mënyrë të përmbledhur mund të themi që Skoda Octavia e re është një makinë e lindur më shumë për të përtypur kilometra pa të lodhur, por nuk të zhgënjen në asnjë kontekst. Kemi arsye të besojmë se konsumi prej 5 litrash/100km që shfaqet në ekran është realist dhe na duket një rezultat shumë i mirë duke konsideruar performacën e përgjithshme. 

Në konluzion mund të themi që Skoda Octavia e re shfaq një karakter të dyfishtë. Nga njëra anë ruan shpirtin “Simply Clever” (është edhe slogani i markës) me detaje si kapjet Isofix per sexholinot e fëmijëve, një vend të posaçëm për çadrën (tek dera e shoferit) një mori xhepash kudo dhe për çdo nevojë, një gomë reserve të vërtetë, dy porta USB për lidhje apo karikim të celularit, etj etj. Nga ana tjetër, në këtë gjeneratë gjejmë detaje cilësie prej një niveli sipëror si psh. veshjet e xhepave te dyerve me moket, perde për pasagjerët e pasëm, tavan xhami, frenim emergjence, fenerët Led Matrix, projektimin e informacioneve kryesore në “Head up display”, shasi aktive, programe guide dhe një mori opsionesh të denja për një sedan premium të segmentit D. 

Sa kushton Skoda Octavia e re? Ekzemplari i provës sonë, i pasur në opsione dhe me një kombinim top motor – kambio kushton 25.900euro, por çmimet e Octavia-s fillojnë nga 17.500eur në versionin  Octavia Ambition 1.0 TSI me 110 kuaj fuqi dhe kambio manuale. Që në versionin bazë do të gjejmë një sërë opsionesh të rëndësishme si disqe alumini, timon Servotronic (elektrik me vetërregullim), klimatronizator elektronik, komanda në timon, kontroll për ngjitjen në malore (Autohold), Cruise Control, Pit Lane Assistant, dritat e përparme LED, pasqyra e brendshme me errësim automatik, etj. Si ju duket?