na ndiq ne

Provuam për ju Peugeot 308 1.6 Hdi 99 Kf

19/02/2018

Peugeot 308 aktuale është në mes të ciklit të jetës të gjeneratës së dytë (gjenerata e parë lind në vitin 2007). Megjithëse për 2018 Peugeot ka prezantuar tashmë versionin e rifreskuar (facelift) këto detaje nuk ndryshojnë esencën e 308-s, e cila mbetet një makinë kompakte, e përshtatshme për qytet por që perballon mirë edhe udhëtime mesatare.

Zgjodhëm versionin 1.6 HDI, me 99 kf, me kambio manuale dhe me një nivel të mjaftueshëm aksesorësh me mendimin që ky motor dhe ky version, mund të shkojnë ndesh klientit tipik shqiptar dhe racional.

Si fillim, siç e thamë, linja e 308-ës mbetet aktuale, sidomos pas operacionit facelift të lehtë që e afron më shumë me stilin aktual të prodhuesit francez me në krye motrën e madhe 508. Maskerino bëhet më moderne duke braktisur zgarën klasike me vija, vendin e të cilës e zënë elementët në formë konstelacioni, me në qendër luanin e logos, i cili më parë vendosej mbi kofano.

Nga brenda konstatojmë menjëherë se hapësira është e mjaftueshme si para ashtu dhe mbrapa, ndërsa bagazhi është thuajse rekord për kategorinë. Kruskoti me një formë të veçantë, përmban kuadrin i cili është i pozicionuar më larg dhe më lart nga si jemi mësuar zakonisht. Është më shumë në formën e një Cockpit (avioni) i cili ofron një lexim të kollajshëm të informacioneve pa tërhequr vëmendjen nga guida. Ekrani tjeter, ai i infotainment, gjendet më, poshtë për të qenë kështu lehtësisht i komandueshëm.

Materiali i kruskotit është butë dhe asemblimi është i bërë mirë, pavarësisht se disa plastika në zonën e poshtme mund të ishin më të buta e më cilësore. Në kompleks, ndjesia në timonin e 308 është pozitive.

Motori 1.6 Hdi, me fuqi 99 kuaj, pavarësisht se larg performacave sportive, na surprizoi për mirë në dy drejtime: së pari na u duk elastik dhe kjo e bën atë komod sepse nuk kërkon ndërrime marshi të shpeshta. Madje na habiti kishte një progresion të mirë përtej pritshmërive duke transmetuar fuqi deri në zonën e lartë të xhirove. Së dyti, motori reagonte mirë edhe në regjime të ulëta ku pavarësisht se me pak xhiro, rimerrte mirë pas një hezitimi minimal, i shpjegueshëm dhe krejt normal nëse nuk ulen marshat për t’iu përshtatur rrugës dhe trafikut. Por kjo ishte pikërisht prova që donim të bënim. Si përmbledhje, ky motor na u duk më se i përshtatshëm për karrocerinë e 308 aq më shumë që konsumi i premtuar është më pak se 4 litra/100 km.

Për të gjithë ata që nuk do të jenë të kënaqur, kujtojmë këtu se në listë mund të gjejnë gjithashtu edhe versionet 2.0 Hdi me 150 ose 180 kf dhe akoma më shumë, i kujtojmë të apasionuarve se versioni GTi, 1.6 me benzinë ofron plot 272 kuaj fuqi! Nuk duhet të harrojmë se Peugeot ka një traditë të gjatë në aktivitete sportive si Rrally, kampionate GT apo si furnizues i lavdishëm motorësh në F1.

Në rrugë 308-a transmeton një ndjesi pozitive duke ofruar një guidë fluide dhe të lehtë. Timoni reagon mirë, pa vonesat që nganjëherë shfaqin makinat me tërheqje përpara, edhe pse nuk është ai më sportivi i kategorisë.

Zhurmat nuk janë asnjëherë shqetësim si në rrugë me kthesa ashtu edhe në autostradë ku deri në shpejtësinë 100km/h zhurma e erës dhe e rrotave janë plotësisht në nivelin mesatar dhe të kënaqshëm për kategorinë.

Oferta multimediale është funksionale dhe ofron funksionet bashkëkohore, të gjitha të komandueshme nëpërmjet ekranit touchscreen në qendër të kruskotit.

Në përmbledhje mund të themi që Peugeot 308 nuk ka një jetë të lehtë në një segment me shumë konkurrentë të vjetër dhe të rinovuar, ku emra si Volkswagen Golf, Renault Megane, Citroën C4, Seat Leon, Toyota Auris, Hyundai i30 janë vetëm disa nga kompetitorët. Vlen të thuhet ama se 308 mbetet një alternativë e vlefshme me armë të forta si komoditeti, konsumi i ulët dhe një design ndër më të veçantët dhe origjinalët, element ky jo i parëndësishëm për një makinë që mund të jetë pse jo, edhe pak chic! Në fund të fundit ADN është franceze.