na ndiq ne

Provuam Opel Astra Sport Tourer

27/06/2018

Në blerjen e një makine luajnë rol një sërë faktorësh, ndër të cilët një ndër më të rëndësishmit mbetet gjithmonë hapësira. Kjo është ndër të tjera edhe mjaft delikate sepse ideja që mbizotëron zakonisht është për të patur një makinë me hapësirë të madhe të përshtatshme për të gjitha nevojat familjare, duhen shpenzuar shumë para.

Një zgjidhje e mirë në këtë drejtim vjen nga makinat station wagon, që janë një antistress i vërtetë për këdo që ka nevoja bagazhesh, karrocë fëmijësh të vegjël, bicikleta që palosen, kafshë shtëpiake apo çfarëdo nevoje tjetër. Makina në rradhë të parë është një mjet pune që duhet të jetë mbi të gjitha i dobishëm.

Na duket e përshtatshme pra ta nisim menjëherë me një lajm të mirë: makina e provës së sotme ofron gjithçka me çmim më se të arsyeshëm. Cila është kjo? Asgjë më pak sesa makina fituese e çmimit “Car of the Year 2016”, Opel Astra, kësaj rradhe në versionin familjar Sport Tourer.

Për provën tonë përzgjodhëm versionin Enjoy me motorin “1.4 Turbo ECOTEC Direct Injection” i cili zhvillon 125 kuaj fuqi.

Le ta fillojmë nga përmasat: Astra Sport Tourer është e gjatë 4,7 m,1,87 me e gjerë dhe 1,50 m e lartë. Nëse numrat nuk janë shumë të qartë, ndoshta mjafton të themi që një Mercedes C Class Station Wagon (gjenerata W203), është 16 cm më i shkurtër (454 cm gjatësia). Hapësira në bord është vërtet e bollshme për të gjithë pasagjerët, përpara dhe mbrapa, por ajo që vlen të veçohet, ndryshe nga versioni hatchback, është bagazhi. 540 litra në kushtet normale dhe 1.630 litra në versionin station wagon janë përmasa të një kategorie superiore dhe garanci për çdo nevojë transporti. Dera e bagazhit elektrike është një komoditet më vete.

Nga ana e design-it, Astra Sport Tourer edhe pse një station wagon, është  elegante dhe me një stil të pastër dhe harmonik që ruajnë një pamje dinamike. Këtu Opel shfrytëzon eksperiencën e madhe që ka ndër dekada. Ata që kanë memorie të fortë, mund të kujtojnë edhe modele historike, si psh. Opel Kadett. Linjat kryesore nga përpara dhe në gjysmën e parë të profilit janë të njëjtat me versionin hatchback (lexo këtu provën tonë mbi Opel Astra hatchback) ndërsa në gjysmën e pasme të profilit dhe në pjesën e pasme, Astra rifiton disa pikë mbi modelin e vogël, sepse ka një pamje prej një makine më të madhe dhe më të rëndësishme. Edhe përmasat e rritura ndihmojnë në këtë pamje më autoritare.

Nga brenda Astra ST është e njëjtë me versionin hatchback. Kruskoti është ergonomik dhe harmonik dhe i realizuar me materiale cilësore. Design-i është bashkëkohor si dhe teknologjia në bord. Infotainment bazohet në monitorin touchscreen, iplote në opsione dhe në ndërlidhje që përfshin Bluetooth, Apple Carplay dhe Android Auto. Timoni është multifunksional, i gradueshëm në lartësi dhe thellësi dhe lejon të gjendet menjëherë pozicioni më i rehatshëm i guidës. Në këtë ndikojnë padyshim edhe sediljet ergonomike, që në rastin e Opel-it janë të certifikuara AGR (Shoqata gjermane “Fushata për Shpinë të shëndetshme”).

Izolimi akustik është mjaft cilësor dhe motori 1.4oo kubikë është edhe i varfër në vibracione. Këtë motor e kemi testuar më së miri në një provë të mëparshme (lexo këtu provën tonë) dhe këtu nuk mund veçse të konfirmojmë të njëjtat veti. Elastik, me progresion të mirë dhe ekonomik në konsum, mbetet një nga pikat e forta të Astra-s dhe një motor më se i përshtatshëm për këtë karroceri. Kambio në versionin e provës sonë ishte manuale me gjashtë marsha dhe mjaft komode në përdorim, falë elasticitetit të motorit.

Në guidë, Astra ST është një makinë me bazë të sigurtë në rrugë dhe ruan të njëjtat veti të mira të versionit hatchback. Gati gati, në metrat e parë ndihesh në mes një paradoksi. Guida është e thjeshtë dhe natyrale si e një makine mesatare ndërkohë që xhami i derës së bagazhit duket një pamje e largët në pasqyrën e brendshme. Astra ST mbetet vërtet një guidë e ekulibruar, komode dhe e qëndrueshme në ndryshime trajektoresh ndërsa në autostradë garanton udhëtime të rehatshme dhe të qeta. Në qytet sensorët e parkimit, sidomos mbrapa, janë një komoditet që nuk mund të mungojë edhe sepse përmasat janë të konsiderueshme dhe prej segmenti D.

Teknologjia e përgjithme nuk është e ndryshme nga modelet e tjera Opel dhe përfshin sistemin e mirënjohur Opel Eye, që monitoron çdo gjë ndodh rreth makinës, Forward Collision Alert, i cili sinjalizon “rrezik aksidenti!” dhe nga 60km/h frenon vetë, “Traffic Sign Assist”dhe “Lane keep assist” që ndihmojnë në leximin e tabelave të rrugës dhe ruajtjen e korsisë me korrigjim aktiv. Fenerët LED janë cilësuar si më të mirët e kategorisë dhe dhe janë edhe “inteligjentë” me teknologjinë aktive që përshtat ndriçimin për të mos verbuar makinat që vijnë përballë.

Mund të jetë kurioze këtu të dihet se Opel Astra Sport Tourer është testuar në kushte ekstreme në qendrën Europiane të Zhvillimit të Produkteve. Astra ST është testuar dhe kolauduar në temperatura që shkojnë nga 60°C në -40°C dhe kjo garanton që në Shqipëri jemi në kushte optimale temperature.

Kjo teknologji gjermane vjen për publikun tonë me çmime që fillojnë nga 17.000euro. E disponueshme për një provë për të gjithë, e sugjerojmë si një zgjidhje optimale për kë kërkon një makinë moderne, cilësore dhe me hapësirë për të gjitha nevojat, pa qenë nevoja të shesë veshkën për ta blerë 😊