na ndiq ne

Prova Audi A3 Sportback

07/08/2018

Në segmentin C, ose makinave familjare kompakte, dikur dukej se Volkswagen Golf i vinte kapakun për nga cilësia, çmimi dhe imazhi. Kjo duket se i ka lënë vendin një skenari tjetër. Disa marka premium e panë me interes këtë sektor dhe propozuan modelet e tyre për të ofruar diçka cilësore edhe klientelës që nuk donte të ngiste makina të mëdha.
Një nga përfaqësueset më të denja të kësaj filozofie është Audi A3, një “lojtar” brenda familjes së madhe Volkswagen, por që në fakt i shpall betejë Mercedesit A Class dhe Serisë 1 nga BMW.
Duke qenë se A3 i është nënshtruar një operacioni rinovimi (facelift) vitin e kaluar, së bashku me një gamë motorësh të rinovuar, na u duk me interes të provonim në terren një ekzemplar të tillë. Zgjedhja jonë ra mbi versionin Sportback (me pesë dyer) i motorizuar 1.6 TDI dhe i pajisur me kambion automatike S-Tronic.


Audi A3 Sportback zhvillohet mbi shasinë Mqb. Është i gjatë 431 cm dhe i gjerë 179. Hapi ndërmjet dy akseve është 264 cm dhe duke e provuar nga brenda mund të themi që hapësira brenda këtij modeli nuk mungon, duke llogaritur segmentin të cilit i përket. Ajo që godet më shumë nuk është hapësira në vetvete më shumë sesa organizimi i saj. Teknikët nga Ingolstad kanë bërë një punë të mirë në pjesën e përparme duke krijuar një ndjesi prej Coupé-je. Kruskoti është i ulët por nuk të mbyt. Detaje si gojëzat e ajrit të rrumbullakëta dhe të kromuara, në stil vintage me design të pastër i japin një identitet të veçantë A3-shit. Duket se kryefjala në këtë projekt ka qenë “ergonomia” e shprehur në mënyrë kreative me bllokun e komandave, i vendosur jo më vertikalisht, poshtë kondicionerit, por horizontalisht, përreth levës së kambios automatike. Në përshtypjen e parë na u desh të rrinim me kokën ulur për disa minuta, për të kuptuar se “ku ndodheshim” por duhet të pranojmë që me to mësoheshe shumë shpejt dhe pas vetëm pak kilometrash, dora mësonte “përmendësh” çdo buton dhe mund të bëje thuajse të gjitha veprimet pa hequr sytë nga rruga. Një notë e mirë këtu shkon edhe drejt sigurisë.


Duhet të themi se brenda kësaj pamjeje esenciale të A3 nga brenda, cilësia premium dallohet kudo hedh sytë dhe konfirmohet edhe në prekje me materialet e buta dhe cilësore. Pasqyra e brendshme pa borde anash psh është vërtet chic.
Ekrani 7” në qendër të kruskotit, në stil tablet, siç e dikton moda e kohës sonë, aktivizohet sapo rrotullon çelësin. Pozicionimi është i goditur në dobi të lexueshmërisë. Poshtë tij gjenden disa komanda me butonat të renditur horizontalisht në stil “tuning”.
Nga jashtë A3 është besnike ndaj modelit paraardhës, por duke modernizuar çdo linjë dhe element, brenda frymës së një makine pak gadufe ose pak garipe 😊 Një ndër pikate forta të çdo Audi është identiteti i fortë dhe kjo vlen edhe për A3.
Motori që përzgjodhëm për provën tonë është i njëjti i montuar edhe tek SUV-i kompakt Q2, kështu që i bie të jetë i përshtatshëm edhe për A3. Me rrotullimin e çelësit 1.6 TDI aktivizohet i heshtur por i gatshëm. Fuqia e këtij motori është 116 kuaj fuqi, por puna e tyre duket se është edhe më shumë se kaq. Pas një prove të gjatë gjatë pak më shumë se një dite mund të themi se ky motor bën punën që bënte një motor 2.000 shtatë apo tetë vite më parë.


Por ajo që na habiti vërtet nga ky A3 sportback ishte “Handling” një term anglez që ka të bëjë me shpërndarjen e peshave, ekulibrin e makinës në ecje, reagimin e timonit, të shasisë, frenimin, etj. Me fjalë të tjera çdo gjë që ka të bëjë me kënaqësinë e ngarjes.
Kjo makinë nuk ka tërheqjen mbrapa, nuk ka motor benzine, nuk ka ndonjë fuqi të madhe dhe prapë është qejf ta ngasësh. Timoni e çon turirin e makinës atje ku e drejton, pa naze, pa vonesa, menjëherë. Pjesa tjetër e makinës e ndjek e bindur, provë e një shasie perfekte. Pesha është e shpërndarë shumë mirë dhe në rrugët me kthesa makina nuk shpërbëhej në asnjë moment. Ok, nuk po i japim një TFSi 2.000 kubikë me 310 kuaj fuqi, por prapë kontrolli është shumë i plotë. Timoni, që përveçse i këndshëm edhe në design, ishte një “lodër” e vërtetë.


Në guidën manuale, kambio përgjiget mirë por tërheqja nga marshi në marsh është e shkurtër, siç mund të jetë një 1.6, i gjallë dhe ekonomik, por jo sportiv. Ok, u frymëzuam pak si tepër ndoshta nga vetitë e rralla të shasisë. Meqë ra fjala tek konsumi, kompjuteri i bordit shënonte 4.8 litra/100km dhe guida jonë mund të ishte edhe më e butë padyshim, kështu që padyshim mund të themi që në guidë të qetë ky motor propozohet si kursimtar.


Duke u rikthyer në pozicionin automatik, kësaj rradhe në pozicionin “S” loja rindizej dhe A3 ishte sërish e gatshme për sprint në çdo kthesë.
Për ata që mendojnë të bëjnë edhe udhëtime të gjata me këtë makinë, lajme të mira vijnë nga bagazhi: 380 litra në pozicionin normal mund të bëhen 1.280 litra me palosjen e sediljes së pasme. Ndërkohë që mund të konfirmojmë edhe komoditetin mbi mesataren, ju informojmë edhe mbi çmimin. Audi A3 Sportback fillon nga 21.400euro me motorin 1.0 TSI. Ndoshta nuk janë pak, por pajisja bazë nuk është aspak e varfër dhe përfshin opsione si MMI Radio plus, Ajrin e kondicionuar, Frenat e dorës elektromekanike, ESC (electronic stability control), Fenerët Xenon plus, Timonin sportiv me Servotronic, Xhama që reflektojnë nxehtesinë, etj.
Nqs mund të shërbejë si ngushëllim, nga ana tjetër e bregut dhe në shumë vende Europiane i njëjti model fillon nga pak më pak se 27.000 euro. Kjo ndoshta i jep klientelës shqiptare pak mundësi më shumë personalizimi mes listës së gjatë të opsioneve për takonfiguruar A3 sa më shumë sipas “qejfit”.

 

Kliko për provën e Volvo V40 2.0 D2:

 

Kliko për provën e Opel Astra 1.4 Enjoy: