na ndiq ne

Porsche app?

01/05/2019

Ka disa kohë që të flasësh për makina sportive duket sikur është bërë jashtë mode. Ky efekt mund të jetë deri diku i kuptueshëm. Fuqia mesatare e makinave të thjeshta sot në qarkullim është rritur ndjeshëm në një kontekst ku moda aktuale është e orientuar drejt makinave të larta nga toka, Suv ose Crossover.

Në këtë panoramë, na duket me vend të kujtojmë makinat sportive, ekstreme ose jo ekstreme, me të cilat merr kuptim fjala emocion. Kur bëhet fjalë për makina të tilla Porsche është padyshim një markë legjendare me shumë merita ndër vite, një prej të cilave është fokusi eksperiencën që i ofron klientëve të saj.

Ideja gjeniale e teknikëve gjermanë ka qenë krijimi i një aplikacioni të dedikuar për të shfrytëzuar sa më mirë Porsche-t e tyre. Pse gjeniale? Sepse shumica e klientëve të makinave sportive i përdorin këto makina në kushte normale, pa e shfrytëzuar potencialin e “bishave” të cilat posedojnë. Porsche në këtë rast, ka menduar mirë të ofrojë teknologjinë aktuale të aplikacionëve për celularë, për të ofruar një eksperiencë prej piloti të vërtetë në pistë.
Saktësisht quhet “Porsche Track Precision app” dhe mund të shkarkohet nga platformat Appstore dhe Google Play. Ky aplikacion është në gjendje të lidhet me makinën nëpërmjet teknologjisë WiFi (gjë që ta kërkon që në fillim) për t’u shndërruar në një qendër telemetrie reale të ngjashme me atë të garave profesioniste. E kemi fjalën këtu për informacione reale si presioni i turbinës, punimi i pedalit të gazit, ndërhyrja e sistemeve të stabilitetit (nëse aktive) shpejtësia e çdo rrote individualisht, etj.

Aplikacioni mat edhe informacionet kronometrike si koha e xhiros, seksioneve të pjesshme, krahasimi i xhirove dhe seksioneve, etj. Matja dhe përditësimi i të dhënave bëhet çdo të dhjetë sekondash.
Ky aplikacion është në gjendje të analizojë guidën tuaj duke ju dhënë qartë nëse jeni duke e shfrytëzuar plotësisht potencialin e makinës ose jo. Me fjalë të tjera do të shikoni në një grafik të dhëna me ngjyrën jeshile kur jeni duke shfrytëzuar mirë potencialin e makinës dhe në të kuqe nëse jeni poshtë këtij potenciali.

Më e bukura? Pas çdo xhiroje ju mund të shikoni materialin video që ju jep këndet e kthesave, presionin e ushtruar në frena dhe gaz, kontrollin e stabilitetit, ose punën në timon. Kështu do të kuptoni në cilët sektorë dhe në çfarë komandash mund të përmirësoni kohën në xhiron tuaj të ardhshme.


Doni akoma? Keni edhe mundësi të krahasoni kohët tuaja me atë të paraardhësve tuaj në pistë ose të shokëve tuaj.
Aplikacioni në fillim ofrohej vetëm për versionet ekstreme si Porsche 911 GT3 RS, por tashmë ofrohet me çdo model në prani të paketës Sport Chrono. Kjo nëse doni të aktivizoni të gjithë parametrat e makinës, sepse aplikacioni funksionon me të gjitha makinat, por nëse jo Porsche, funksionet reduktohen ndjeshëm (mos e provoni me Golf IV, të kuptohemi 😊)
A është ky app një ide e mirë dhe një vlerë e shtuar? Ndoshta, ose më mirë, po, nqs jeni aq me fat sa të keni një Porsche me të cilën ta lidhni dhe një pistë ku ta “zhbielloni”. Aq më shumë i shtohet vlera nëse mendoni se sa kushtojnë pajisje të tilla për të mundësuar telemetrinë dhe rregjistrimin e xhirove në pistë.
Me siguri është një ide e mirë ta shkarkoni për ta eksploruar, është falas.