na ndiq ne

Polestar 2 fillon prodhimin

01/04/2020

Europa e para në listë

Polestar 2 ose “Anti – Tesla” e prodhuar nga Volvo, siç e kanë quajtur shpesh, duket se do të jetë shpejt gati për treg. Në një komunikim zyrtar, Polestar (Volvo) deklaron se ka filluar prodhimi i këtij modeli që tregu e ka mirëpritur në gamën elektrike aktuale.

Polestar 2 do të prodhohet në stabilimentin e Luqiao-s, në Kinë, në pronësi të Grupit Geely i cili ka në pronësi markën suedeze dhe që tani drejtohet nga Volvo.

Pavarësisht se prodhimi do të jetë në lindjen e largët, njësitë e para të prodhuara do të jenë të llogaritura për tregun europian, duke shpresuar të përfshihet këtu edhe vendi ynë. Periudha e dorëzimit në konçesionarë do të jetë muaji qershor i këtij viti. Pas Europës, në listë janë më tej Kina dhe ShBA.

Polestar është marka luksoze e prodhuar nga Volvo dhe me sa duket orientimi “elektrik” do të jetë ai kryesori duke parë edhe trendet ndërkombëtare të kohëve të fundit.

Polestar 2 do të jetë modeli i parë me motorizim vetëm elektrik që pritet të sjellë një makinë elektrike me çmim të përballueshëm për masat e gjera. Çmimi i pritur (por jo i konfirmuar) është në nivelin e 40.000euro ndërsa zëra jozyrtarë thonë se versioni i debutimit (launch edition) do të ketë një çmim rreth 60.000euro (sipas shifrave të tregut gjerman).

Polestar 2 është një model me design midis një sedani dhe një hatchback që na kujton Volvot e Serisë 3 të viteve ‘70 (343, 345, 340, 360, etj). Njësia motorike parashikon dy motorë elektrikë me fuqi totale 408 kuaj. Kjo fuqi mundëson performancë sportive dhe garanton një sprint 0-100km/h për vetëm 4.7 sekonda. Autonomia e premtuar është rreth 500 km.

Teknologjia në bord është e pasur me një sistem Android ndër më të avancuarit. Përveç sistemit infotainment, nga ekrani me prekje mund të komandohet edhe klimatizatori. Sistemi operativ është zhvilluar nga Google dhe parashikon aplikacione si Google Maps apo Spotify të instaluara në të. Pavarësisht platformës Android, sistemi është i përshtatshëm edhe për ndërlidhje me iPhone.