na ndiq ne

Polestar 1

18/10/2017

Polestar, dikur reparti spotiv i Volvo-s, ka qenë gjithmonë një vatër e nxehtë projektesh që së fundmi përfshinte variantet më sportive (shpesh  hibride) të serive tradicionale Volvo. Ambiciet e prodhuesit suedez kanë qenë gjithmonë të deklaruara mbi pritshmëritë e larta të kësaj dege dhe më në fund vjen konfirmimi zyrtar: Polestar është tashmë një markë më vete dhe vulos këtë hap me këtë model të ri të pagëzuar Polestar 1.


Për më tepër, Volvo dhe Geely (grupi kinez që zotëron 100% të aksioneve te Volvos) do të investojnë 650 milionë euro në ndërtimin e një stabilimenti modern në Kinë i cili do të ketë në focus vetëm prodhimin e makinave elektrike dhe hibride. Kujtojmë këtu që Kina është vendi nr. 1 sot në botë për numër makinash elektrike në raport me totalin e automjeteve të shitura.

Polestar 1, një coupé 4.5m e gjatë, do të mbërrijë në koncesionarët zyrtarë Volvo në 2019 dhe më tej do të pasohet edhe nga Polestar 2 (një berlinë elektrike) dhe Polestar 3 (një SUV). Polestar 1 është një coupé me motor hybrid e cila zhvillon 600 kf me një moment rrotullues 1.000 Nm. Fuqia buron nga një njësi benzine me 330kf të cilit i bashkohen dy motorë elektrikë të cilët zhvillojnë 218kf së bashku. 46kf të tjerë shtohen nga një motor i tretë elektrik i cili është i lidhur me motorin termik. Së bashku arrihet fuqia e lartpërmendur 600 kuaj nëpërmjet të cilës kjo Volvo, oops, pa dashje, kjo Polestar arrin të përshpejtojë nga 0 – 100km/h në vetëm 3.8 sekonda dhe arrin shpejtësinë e autolimituar 250 km/h.

Një dorë të mirë në performancat e Polestar 1 e jep telajo e realizuar mbi bazën e berlinës S90 me një sërë përmirësimesh dhe përdorim të gjerë të karbonit në strukturën e kësaj makine i cili garanton soliditet dhe lehtësi njëkohësisht.

Nëse përdoret vetëm me motorët elektrikë, shpejtësia maksimale e Polestar 1 është 160km/h dhe autonomia është 160 kilometra me zero ndotje. Në rastin e Shqipërisë kjo distancë të lejon të shkosh në shumicën e destinacioneve brenda vendit nëse nisesh nga Tirana, por për fat të keq duket se tregu ynë nuk do të përfshihet në hartën e shteteve që do të mund të marrin me qera Polestar 1. Po, e kuptuat drejt, Polestar 1, në planet e kompanisë nuk do të dalë në shitje, por do të jepet vetëm me qera për periudha 2-3 vjeçare, me mundësi rinovimi.