Peugeot rinovon Brandin
Luani ka një mijë fytyra
Makina e parë Peugeot është prodhuar diku në vitin 1890. Modeli i parë quhej Type3, kishte 2 kuaj fuqi, ecte diçka rreth 20 km/h dhe si emblemë kishte një Luan.
Ishte kjo stema e përzgjedhur nga familja Peugeot, asokohe e përfaqësuar nga dy vëllezërit Jules dhe Émile Peugeot.
Që atëherë, logo me Luan ka pësuar shumë ndryshime ndër vite, duke mbetur një ndër markat më përfaqësuese të Francës, por edhe një ikonë e lavdishme e automobilizmit.
Këtë e dëshmon jo vetëm pozicionimi i tregut dhe shifrat e shitjeve në çdo periudhë, por edhe një përfaqësi serioze në shumë sporte. Mund të kujtojmë këtu vitet kur Peugeot ofronte motorë për McLaren në periudhat e lavdishme të Senna-s dhe Prost, por edhe shumë vite të suksesshme në garat Rally apo Paris – Dakar.
Nisur nga një dëshirë apo nevojë për rinovim, edhe për të dëshmuar një rritje në treg dhe një ripozicionim, menaxherët e markës franceze menduan se kishte ardhur momenti për të “freskuar” disi elementin bazë të identitetit të markës, logon.
Imazhi i ri i Peugeot është rishikuar totalisht për të simbolizuar një rritje në panoramën e markave gjeneraliste të sektorit automotive. Fakt është që përveç logos, janë rinovuar edhe faqja web, stilin e komunikimit dhe çdo element tjetër të komunikimit.
Stema e re është design-uar nga Peugeot Design Lab dhe përfaqësohet nga një mburojë në të cilën gjejmë një kokë luani të stilizuar si një formë “faraonike” të cilës i mbivendoset emri Peugeot. Gërmat e emrit janë përpunuar në mënyrë moderne por të pastër e pa ngarkesa.
Sipas Peugeot, ky simbol është një formë e re identiteti, pa kohë, universale dhe multikulturore në të njëjtën kohë. Është një sinonim prestigji, besimi dhe jetëgjatësie. Ky simbol i ri transporton Peugeot nga historia drejt një epoke ultra moderne.
Modeli i ri që do të mbajë logon e re do të jetë Peugeot 308 e re, që është edhe një ndër modelet më të shitur në mbarë globin.
Në fotogalerinë tonë kemi bërë një përmbledhje të logos dhe simbolit të luanit ndër vite ku mund të zbuloni me nostalgji edhe “luanin tuaj të preferuar”.