Peugeot prezanton 508 Sport Engineered
Fuqi në stil ekologjik “Made in France”
Prodhuesi francez, me një traditë të rëndësishme në të kaluarën në modelet sportive, rigjen dimensionin e tij midis fuqisë së nevojshme që modelet sportive kanë nevojë dhe sfidës ekologjike, një nevojë sot për të gjithë planetin.
Sigla e re quhet Peugeot Sport Engineered dhe është një seksion i ri i sektorit sportiv Peugeot Sport. Modeli i parë që debuton nën siglën e re, është 508, modeli më i kompletuar me logon e Luanit, i cili në fakt propozohet në versionet sedan, station wagon dhe crossover (nën siglën RXH). Peugeot 508 Sport Engineered është prezantuar vetëm pak ditë më parë dhe do të jetë në treg për blerësit në fillim të vitit 2021.
Nga pamja e jashtme, Peugeot 508 Sport Engineered dallon qartazi nga modelet “normale” nga një mori detajesh. Mund të përmendim këtu ridesign-in e parakolpit të parë dhe të pasëm, të cilët sjellin përmirësim aerodinamik të makinës dhe evidentohen në pjesën e përparme edhe nga një ngjyrosje jeshile fosforeshente, duke na kujtuar ekologjinë ndërsa në pjesën e pasme bien në sy dy tubat e shkarkimit me përmasa të zmadhuara. Rrotat kanë gjithashtu përmasa të mëdha krahasuar me modelet normale duke arritur këtu deri në 20” ku spikasin disqet e frenave në përmasa sportive me diametër 38 cm dhe pincat e frenave, gjithashtu në jeshile fosforeshente.
Peugeot 508 Sport Engineered është edhe më e gjerë se modeli normal, saktësisht 2,4 cm në aksin e parë dhe 1,2 cm në aksin e pasëm. Ky aspekt ndikon drejtpërdrejtë në stabilitetin e makinës, por edhe në pamje.
Brenda, Peugeot 508 në fakt ka qenë që në fillim më shumë në Coupé sesa një sedan, por këtu pamja sportive theksohet nga sediljet sportive të veshura në Alcantara me qepje të dukshme në ngjyrë të verdhë, timoni sportiv i “prerë” në pjesën e e poshtme në stil “race” ku gjejmë gjithmonë komandat për një sërë funksionesh të sistemit infotainment.
Motorizimi është ekologjik edhe pse Peugeot 508 Sport Engineered ka tre motorë. Motori me benzinë ka një vëllim 1.600 kubikë dhe zhvillon 200 kuaj fuqi me një moment rrotullues premtues prej 520 Nm. Më tej gjejmë dy motorë elektrikë, me fuqi respektivisht 110 kuaj në aksin e parë dhe 113 kuaj në aksin e pasëm. Siç e kuptuat tashmë, Peugeot 508 Sport Engineered ka tërheqje integrale 4×4. Kambio me siglën eEAT8 ka tetë marsha.
Me një fuqi totale prej 360 kuajsh, Peugeot 508 Sport Engineered din të jetë sportive dhe ekonomike në të njëjtën kohë. Shpejtësia maksimale është 250 km/h ndërsa për të shkuar nga 0-100km/h duhen vetëm 5.2 sekonda, kohë shumë e respektueshme nëse mbajmë parasysh që ky version, për shkak të baterive peshon 1.850 kg.
Për sa i përket ecjes “jeshile” Peugeot deklaron 42 km autonomi me ecjen me bateri, pra me zero litra/100 km, por pjesa e konsumit vazhdon të habisë me një konsum prej 2 litrash/100km në guidën hibride, ku motorët elektrikë kanë funksionin e ndihmesës së motorit me benzinë. Për karikimin e baterisë me kapacitet 11,8 kWh nga rrjeti i shtëpisë (me kapacitet 7,4 kW) duhen 1,45 orë për një karikim të plotë, por Peugeot 508 Sport Engineered karikohet edhe nga rryma normale me kapacitet 3.7 kW, thjesht i duhet dyfishi i kohës. Gjithmonë në mëngjes, e gjeni gati për përdorim.