Peugeot 508 Station Wagon
Peugeot 508 është një model që ne e kemi prezantuar më parë (kliko këtu për Peugeot 508), por modeli Station Wagon është një version interesant për familjarët që kanë nevojë për hapësirë dhe nuk duan të heqin dorë nga kënaqësia e guidës.
Nënkuptojmë këtu që një pjesë e kësaj klientele orientohet tashmë drejt modeleve Suv. Është e vërtetë që një pjesë e mirë prej nesh e kanë harruar tashmë këtë kategori makine, dikur makina tipike e një familjeje ose edhe e personave që praktikojnë sport dhe kanë nevojë për një bagazh më të madh.
Me përmasat e saj 4.8 metra gjatësi dhe vetëm 1.42m e lartë, Peugeot 508 SW e re duket sikur do të jetë gati gati një coupé, pavarësisht se bagazhi i saj ofron 530 litra në gjendjen normale. Ndoshta do të thoshim që mund të ketë një ngjashmëri (të largët) me një “sport turismo”, pra një makinë sportive e përshtatur në formatin SW, siç mund të jetë p.sh. Porsche Panamera … vetëm për të dhënë idenë … pa dashur këtu të blasfemojmë natyrisht 😊
Nga ana tjetër, 508 SW e re është edhe e vëmendshme ndaj portofolit, duke qenë se ofrohet edhe me motor 1.5 diesel BlueHDi me 130 kuaj fuqi, që janë të mjaftueshëm për të lëvizur lirshëm me këtë makinë, por për perfomanca më të larta duhet të kërkoni një motor tjetër, më të fuqishëm, që natyrisht nuk mungon në gamën e prodhuesit francez.
Me siguri ky model do të jetë në vëmendjen tonë për një test drive më të hollësishëm, por për momentin ju lëmë në shoqërinë e fotografive më fotogaleri.