Peugeot 5008 BlueHDI 150 GT Line
Si fillim, ndryshimi është drastik për modelin Peugeot 5008. Në modelin e parë të vitit 2009, 5008 vinte si një Van (apo MPV ose monovolume), pra një makinë e dobishme që vendoste në plan të parë hapësirën dhe komoditetin e një udhëtimi deri në 6-7 pasagjerë, sipas konfigurimit.
Nën dritën e një diktati që tashmë po ushtron segmenti SUV kundrejt të gjithë prodhuesve, kjo makinë nuk është më van (monovolume) por konvertohet në një Suv duke ruajtur mundësinë e shtatë vendeve. Në krahasim me paraardhësen, përmasat janë më të mëdha dhe është më e madhe edhe se modeli 3008 me të cilin kanë të përbashkët pjesët mekanike dhe shasinë.
Edhe në kabinë ngjashmëria me 3008 është e dukshme. Vendet e përparme janë krejtësisht të ndara dhe vendi i shoferit është gati i veshur nga blloku i komandave. Në pjesën qendrore të kruskotit gjendet ekrani me prekje i sistemit multimedial që shkon deri tek tuneli qendror i cili përfundon në vendet e pasme.
Vlen të theksohet se atmosfera që krijohet është shumë e vecantë, gati gati sportive me finitura dhe stil shume personal. E tepërt ta përmendim, në këtë drejtim francezët kanë një talent natyral.
Blloku i komandave bashkë me veshjet anësore të dyerve janë të veshura me plastikë të butë dhe pëlhurë, gjë që e bën origjinale ambjentin e brendshëm. Pikë të tjera këtu shton edhe veshja e sediljeve, një miks me copë dhe lekurë ekologjike.
Kabina është e mirëorganizuar, ka hapësirë të bollshme dhe të shfrytëzuar shumë mirë. Mbrapa gjenden tre sedilje (divani i ndarë ruan diçka nga trashëgimia në stil van) me shpinore të gradueshme dhe që mund të lëvizin në shina (si sediljet e para) deri në 15 cm. Kjo lejon të qëndrojnë në mënyrë komode 5 persona me të gjithë bagazhet e nevojshme. Hapësira e dedikuar bagazheve është e madhe, kapaciteti është 465 litra me sedilet e shtyra mbrapa. Ndërsa me sediljet e tërhequra përpara hapësira bëhet 610 litra. Në rast nevoje, nëse heqim dorë nga një pjesë e bagazheve mund të krijohen 2 vende të tjera për persona me staturë jo më të madhe se 1.60 cm.
Timoni është i vogël, vetëm 35 cm dhe ka një formë sa origjinale aq edhe ambicioze. Ofron hapësirë për komandat e integruara në të por ajo që e bën më teknologjik është forma e tij e veçantë që do të ngjajë me një timon makine të F1!
Ndërsa komandat dytësore janë vendosur në mënyrë të rregullt në zonën poshtë nagivatorit. Butonat e ashtuquajtur “toggle switch” ngjajnë me tastierën e një pianoje dhe aktivizojnë funksionet kryesore si: radio, kondicioner, telefon etj.
Motori me katër cilindra në versionin 150 Kf ka marrë vlerësime pozitive jo vetëm për fuqinë por edhe për 370 Nm të momentit rrotullues në 2.000 xhiro/min. Mjafton të shtypësh pak gazin për të lëvizur mirë në trafikun e perditshëm. 5008 shkon nga 0-100 në më pak se 10 sekonda, kohe jo e keqe për një guidë të relaksuar.
Makina është e pajisur me Start&Stop, gjë që duhet të ruajë konsumin dhe të respektojë ambjentin.