na ndiq ne

Peugeot 208 e re

27/02/2019

  Peugeot 208 është një model i rëndësishëm i prodhuesit francez me luanin në stemë. Pavarësisht se sipas traditës Peugeot, kompaktja e segmentit B ka ndryshuar shpesh numër (204, 205, 206, 207 dhe 208) duke ruajtur të njëjtët përbërës: kompakte në përmasa, design bashkëkohor dhe një miks cilësish së bashku me çmimin që i kanë dhënë një vend të rëndësishëm në këtë segment. Formën aktuale e ka sjellë për herë të parë modeli 205, i lançuar në vitin 1983. Modeli 208 është i pari që rinovohet duke mos ndryshuar numër.


Si është 208 e re? Si fillim merr disa tipare të design-it të ri të modelit përfaqësues 508, ku dritat e ditës në formën e dhëmbëve të fildishtë të elefantit janë ndoshta më i dallueshmi. Elementë të tjerë si dritat e para dhe të pasme, maskerino e gjerë që përfshin targën dhe një bashkues i errët midis stopave të pasëm janë elementë të tjerë unifikues me linjat aktuale Peugeot.
Pak më e gjatë, më e gjerë dhe më e ulët se modeli paraardhës, 208 e re ka linja më muskuloze të evidentuara sidomos në zonën e parafangos së pasme, ku vendosen edhe siglat e modeleve më ekstreme si GT Line apo thjesht GT. Saktësisht përmasat e modelit të ri janë 4.05 metra e gjatë, 1.75m e gjerë dhe 1.43m e lartë.


Nga brenda format vazhdojnë të ruajnë ADN e filluar me modelin 308, të cilat janë ekstremizuar me 508 me të cilën 208 e re ruan ngjashmëritë e mundshme.
Kuadri është i izoluar në zonën përpara timonit dhe përmban teknologjinë Led. Infotainment është i vendosur në qendër të kruskotit në version të plotë tablet me përmasa 5”, 7” dhe 10”. Poshtë këtij ekrani, thuajse në stilin tunning nga Fast and Furious, gjejmë komanda fizike me levëza sikur duan t’i shkelin syrin klientelës “racing”. Aktuale në këtë zonë edhe një hapësirë për të karikuar celularin wireless, pra pa fije. Teknologjia e ndërlidhjes këtu ipërgjigjet standardeve tashmë të gjithanshme Apple Carplay dhe Android Auto.


ADAS: ndihmesa në guidë rritet me sisteme si Cruise Control aktiv (për modelet me kambio automatike), Full Park Assist, Stop & Go, ruajtje e korsisë, dallim i gjendjes së lodhur të shoferit, etj. Një nga më të dobishmit në mendimin tonë mbetet frenimi automatik, aktiv deri në shpejtësinë 140km/h.
Motorët e 208 së re ofrojnë zgjedhje për të gjitha shijet: benzinë, naftë dhe elektrikë. Në modelet që është e mundur, kambio automatike ka tetë marsha.
Versioni elektrik është pagëzuar ndryshe edhe e-208. Në këtë rast elementët dallues janë edhe estetikë. Maskerino e 208 elektrike është në të njëjtën ngjyrë me pjesën tjetër të karrocerisë. Opsionet e gradimit të guidës janë tre: Eco, Normal dhe Sport. E graduar në këtë të fundit, e-208 arrin nga 0-100km/h për 8.1sekonda. Në kushte normale autonomia është 340 km dhe bateritë me kapacitet 50kWh janë me litium. Garancia për këtë version është 8 vjet ose 160.000 km mbi baterinë.


Kohët e karikimit për këtë model janë 16 orë me korentin e shtëpisë, 8 orë nga pajisja wallbox (7.4 kW) 5 orë me wallbox 11 kW dhe 30 minuta nga karikuesit superfast me kapacitet 100 kW.
Duke qenë se është një model kompakt me misionin kryesor qytetin dhe një rreze të shkurtër ekskursioni, e208 mund të jetë një version interesant edhe për vendin tonë. Për të thënë diçka më shumë në këte drejtim na nevojiten çmimet zyrtare për të bërë krahasimin dhe harta e karikuesve të mundshëm, që në të vërtetë numërohen me gishtat e dorës në Shqipëri.