na ndiq ne

Pesë propozime cabrio për një verë unike

17/07/2019

Emocione me pak më shumë se 10.000 euro
E mbani mend kur është hera e fundit që keni bërë një xhiro për qejf me makinën tuaj? Këtë pyetje do të vazhdojmë t’jua bëjmë vazhdimisht sepse është një ndriçues i vërtetë në përzgjedhjen e një makine.
Përgjigjia e shumicës dërrmuese të automobilistëve është “nuk e di”. Si mund ta mbajë mend këtë dikush që ka një makinë 1.6 me naftë që harxhon pak? Nuk duam këtu të ofendojmë askënd pasi çdokush nga ne bën zgjedhjen që do dhe nuk jep llogari, por janë të shumtë ata që bëjnë zgjedhje të gabuara duke mos e shijuar aspak këtë innvestim të rëndësishëm. Kjo në vendin tonë ndodh shpesh edhe në njerëz të pasur të cilët në vend që të shërbejnë si “trend-bërës” bien pre e “modave” të Bllokut 🙂
E keni parasysh që Shqipëria është një vend mesdhetar me një mot fantastik që ka mbi 260 ditë me diell në vit? Si shpjegojet atëherë që në vendin tonë ka kaq pak makina kabriolet ndërkohë që kemi një mot që do të ishte ëndërr për çdo zviceran apo skandinav.
Blerja e një makine është një investim i rëndësishëm që duhet bërë me shumë kujdes, por askush nuk pyet veten “çfarë makine më duhet” përpara se të ndërmarrë këtë veprim.
Kjo shpjegon ndoshta praninë minimale të makinave “të qejfit” në vendin tonë, përfshirë këtu edhe ato cabrio, të cilat shpesh janë më pak të shpenzueshme se sa duken, por që jua garantojmë, janë një eksperiencë fantastike në çdo udhëtim.
Disa propozime konkrete? Na ndiqni më poshtë.


Fiat 500 Cabrio
Prodhuesi italian ka menduar mirë të propozojë edhe një version cabrio të modelit ikonë prej disa dekadash. Një version interesant do të ishte ndoshta edhe ai pak sportiv Abarth me motor që garanton edhe një performancë interesante për këtë makinë. Motori 1.4 turbo me benzinë, përveç zhurmës kumbuese, ofron edhe 135 kuaj fuqi, që e shtyjnë makinën në më pak se 8 sekonda nga 0 – 100km/h.
Sa kushton? Një makinë e tillë mund të gjendet edhe me më pak se 10.000eur, por që në rastin tonë i duhet shtuar edhe dogana në hyrje.


Audi TT
Në rastin e makinave nga Ingolstad, TT zuri vend shpejt në vlerësimet kritikëve sepse ishte një makinë me një shasi sportive që garantonte ndjesi shumë të mira në guidë. Versioni Cabrio në këtë rast është ai që ne do të propozonim këtu për të qëndruar në temë. Motorët variojnë nga 1.600 kubikë deri në 3.200 kubikë me gjashtë cilindra, ndërkohë që fuqia shkon nga 160 në 340 kuaj. Një këshillë në këtë rast? 200 kuaj fuqi mund të mjaftojnë për një guidë emocionuese dhe për të patur konsume dhe kosto mirëmbajtjeje të përballueshme.
Kujdes! Për një makinë të tillë, jo vetëm për kënaqësinë në guidë por edhe për të qenë të kujdesshëm, këshillohet rigorozisht kambio manuale. Një difekt i mundshëm i kambios automatike do të ishte planprishës për pushimet e verës 
Sa kushton? Rreth 10.000euro dhe kësaj duhet shtuar sërish kosto e importit në Shipëri, dmth transport dhe tvsh në doganë.

BMW Z4
Kur bëhet fjalë për makina të tilla, nga Bavaria kanë qenë gjithmonë të vëmendshëm dhe kanë ditur të propozojnë gjëra të goditura. Dyvendëshja bavareze quhet Z4, është gjenerata që zëvendësoi “motrën” e vogël Z3 dhe nga 2005 vazhdon të prodhohet rregullisht. Design është në frymën e designerit Chris Bangle, origjinale në vetvete edhe pse dikush mund të mendojë që BMW mund të bënte edhe më mirë. Z4 është një makinë interesante dhe e bilançuar me karakter tendencialisht sportiv, edhe pse nuk është një sportive ekstreme.
Motorët ishin 2.000 dhe 3.000 kubikë me fuqi që variojnë nga 150 deri në 260 kuaj, me një vend të veçantë për serinë M që ofron plot 340 kuaj fuqi.
Sa kushton? Me një kilometrazh të përmbajtur, gjendet kllaj poshtë kuotës 10.000eur, ku duhen shtuar kostot e tjera të përmendura më lart, për ta sjellë në Shqipëri.

Mercedes-Benz SLK
Për të mbetur në Gjermani, prodhuesi tjetër gjerman nga Shtutgarti ka qënë ndoshta nismëtari i një karakteristike të veçantë në këtë segment. MErcedesi ka propozuar me SLK një makinë kabrio por me tavanin hard top që paloset në bagazh. Një risi e rëndësishme kjo që mundëson praktikisht dy makina në një.
Gjenerata që konkurron këtu me sa kemi parë më parë është ajo e vitit 2005 që mban siglën R171 dhe ka një design që është frymëzuar nga Formula 1 në ato vite që Mercedes ishte një nga makinat më kompetitive. Motorët fillojnë nga vëllimi 1,800 kubikë me fuqi 163 kuaj, që janë më se të mjaftueshëm për këtë dyvendëshe pupël, por për ata që duan të ëndërrojnë ekziston edhe versioni SLK 55 AMG me 360 kuaj fuqi. Kjo do të ishte edhe versioni konkurrent me versionin M të BMW-së Z4 apo të versionit 3.2 TFSI të Audit TT.
Sa kushton? Edhe në këtë rast, kuota 10.000eur është e mjaftueshme për të gjetur një ekzemplar në gjendje të mirë që t’ju dhurojë shumë sodisfaksione.

Porsche Boxster
Emri Porsche na çon në Olimipin e markave dhe sado e vjetër qoftë, është një akses në një botë për pak të privilegjuar. Një Boxter ama ka qenë gjithmonë një mundësi shumë e mirë për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të pakufizuara buxheti, por që duan një herë në jetë të posedojnë një makinë ëndërrash. Motori i gjeneratës së parë ishte njësia me benzinë 2.500 kubikë me 205 kuaj fuqi, që natyrisht ishin të mjaftueshëm për një eksperiencë të vërtetë në timon.
Për këtë markë, nëse duhet të mbetemi në kuotën 10.000eur duhet ndoshta të zbresim disa vite më poshtë, por me një emblemë të tillë, koha është bujare dhe nuk i tregon aspak vitet.
Në përmbledhje duam t’ju rikujtojmë se nganjëherë emocionet janë të rëndësishme në botën e makinave dhe se me një buxhet me të cilin mund të blesh vetëm një veturë të segmentit A, pra një Peugeot 108 ose një Toyota Aygo, mund të blesh një makinë per të cilën njerëzit të kthejnë kokën dhe kryesorja, që t’ju ofrojë emocione të paçmueshme në guidë.