Opel Zafira Life
Makinat e segmentit MPV (Multi Purpose Vehicle) të njohura më shumë me emra si “Monovolume”, apo “Van” në vendin tonë, duket se kanë vuajtur më pak epërsinë e modës Suv, duke qenë se janë mjete unike për sa i përket hapësirës dhe komoditetit në udhëtim.
Kjo, së bashku me faktin që shpesh mund të mirëpresin në bord lehtësisht 7 ose tetë pasagjerë, i bën ato të jenë zgjedhje e shumë automobilistëve si dhe e shumë aktiviteteve tregtare si hotele, agjenci udhëtimi, etj.
Duke parë qëndrueshmërinë e modelit Zafira në treg, prodhuesi gjerman ka vendosur të rinovojë këtë model duke përgatitur gjeneratën e katërt për të bërë debutin shumë shpejt, brenda tremujorit të parë të 2019.
Opel Zafira Life është një projekt që zhvillohet mbi bazën e modeleve Spacetourer, Traveller të grupit PSA si dhe Toyota Proace. Në rastin e Zafira Life, ky model do të ketë tre versione karrocerie: Life S me gjatësi 460 cm, Life L me gjatësi 495 cm dhe Life XL me gjatësi 530 cm, me fjalë të tjera, për të gjitha nevojat.
Zafira Life ka një look modern me linja më gjeometrike se modeli paraardhës. Kofano e motorit është e shkurtër dhe në profil spikasin dritaret e bollshme që krijojnë një atmosferë të ndriçuar dhe relaksuese në kabinë.
Versioni më i vogël, Zafira Life S, edhe pse 6 cm më e vogël se Zafira aktuale, ofron më shumë hapësirë në bord falë një distance ndërmjet akseve 17 cm më të madhe. Kësaj i shtohet edhe një punë e mirë e arkitektëve që kanë optimizuar hapësirën e brendshme dhe aksesimin me dy dyert anësore që lëvizin mbi shina dhe ofrojnë një jetë më të mirë në bord. Në shina janë montuar edhe sediljet e pasme kështu që mund të lëvizin dhe të zmontohen kollaj. Siç mund të imagjonohet, versionet L dhe XL ofrojnë edhe më shumë hapësirë duke qenë më të mëdha në përmasa. Në këto versione sediljet mund edhe të vendosen përballë njëra tjetrës duke krijuar një atmosferë në stil “salloni”.
Bagazhi është për çdo rast një hapësirë pa fund me sediljet e pasme që mund të palosen. Mund të paloset edhe sedilja e parë e pasagjerit për të mundësuar transportin e objekteve me gjatësi deri … 3.5 metra! Bagazhi i versionit më të vogël Life S ka një kapacitet prej 1.500 litra që bëhen 3.400 litra duke hequr sediljet e pasme.
Numrat e pasagjerëve janë fleksibël në varësi të konfigurimit dhe variojnë nga 5 deri në 8 pasagjerë. Ideale për një ekskursion në Dhërmi, apo jo??
Teknologjia dhe pajisjet e Opel Zafira Life janë bashkëkohore dhe mundësojnë një jetë relaksi në bord për shoferin dhe pasagjerët. Një shembull? Në rast bagazhesh të vogla, hapja vetëm e dritares së derës së bagazhit është një prakticitet i dobishëm. Frenimi i emergjencës është një komoditet dhe siguri shtesë edhe për makinat ose kalimtarët ndërsa për udhëtimet e gjata janë të dobishme ruajtja e korsisë, dritat e gjata automatike (ose inteligjente) që përshtaten me kushtet e rrugës për të mos verbuar makinat që vijnë përballë apo edhe cruise control aktiv që ruan distancën nga mjeti përpara nesh në mënyrë aktive, duke frenuar apo përshpejtuar, sipas kushteve të trafikut. Ky sistem funksionon për shpejtësi mbi 20 km/h.
Sistemi multimedial ose infotainment siç e njohim ndryshe, përfshin ekranin me prekje 7” dhe funksione si informacione në kohë reale mbi trafikun, aksidentet në rrugë, etj. E dimë që ndoshta mendoni që në vendin tonë këto sisteme informimi nuk ekzistojnë ende, por në vitet që vijnë edhe mund të fillojnë dhe Zafira Life është gati për këtë.
Veçanti tjetër e Zafira Life është edhe tërheqja 4×4, opsion me kërkesë natyrisht, por që jo çdokush e ka. Në rastin e tërheqjes në një aks të vetëm, rrotat aktive janë të parat dhe sistemi IntelliGrip ndihmon për një efiçencë më të mirë në ecje,duke ruajtur puthitjen me rrugën.
Qershia mbi tortë është edhe një version elektrik, që duket se do të jetë gati në vitin 2021.