Opel pararojë në normativat antindotje
Normativat antindotje, një problem gjithnjë e më i madh në Europë madje edhe në rang global, kanë në përgjithësi më pak vëmendje në vendin tonë. Kjo vjen për shkak të disa faktorëve, ku kryesisht dallojmë peshën e vogël specifike të makinave të reja dhe politikat tepër liberale kundrejt importit të makinave të përdorura. Të dy këta faktorë janë në vetvete potencialisht afatshkurtër dhe sidomos, pa asnjë mundësi garancie apo parashikimi, pasi mund të ndryshojnë nga sot nesër me një dekret qeverie apo edhe të bashkive të veçanta.
Ja pse në momentin e blerjes, duhet patjetër të informoheni mbi normativën që respekton makina që po përzgjidhni. Do të ishte një ndjesi shumë e keqe të “zgjohemi në mengjes” me taksa të reja përveç atyre që kemi që tani.
Një ndër markat pararojë në këtë drejtim, është prodhuesi gjerman Opel i cili ka së fundmi rreth 85 motorë që respektojnë që sot normat e ndotjes të cilat janë parashikuar si limite për të ardhmen. Normativa e ndotjes Euro 6d Temp është që tani në fuqi në shumë vende europiane për makinat që do të regjistrohen në shtator 2019.
Opel ka lëvizur në avancë kundrejt rregullave për të ndotur sa më pak ambjentin dhe ky është një hap i rëndësishëm jo vetëm për përdoruesit Opel por për të gjithë. Sipas deklarimeve zyrtare tashmë janë disponibël 85 modele të ndryshme që respektojnë normativën Euro 6d-Temp, e cila në Europë do të bëhet e detyrueshme për të gjithë duke filluar nga muaji shtator 2019. Mënyra e testimit do të përfshijë testet në rrugë në kushte të ndryshme të përdorimit të automjetit. Sipas organeve kompetente, pritet që rezultatet e këtyre testeve të pasqyrojnë më mirë realitetin e përdorimit të makinës në krahasim me testet aktuale që bëhen në kushte ofiçine.
Ndër motorët që përshtaten me normativat e ardhshme përfshihen të gjitha versionet e karburantit: me benzinë, me Gpl dhe naftë.
Meqënëse nafta mbetet karburanti më interesant për tregun shqiptar, mund të përmendim njësinë turbodiesel 1.5 me 131 kf i ndërtuar në sinergji brenda grupit PSA (Peugeot-Citroën-DS), i cili zëvendëson variantin e mëparshëm 1.6 CDTi me 120 kf. Motori i ri me naftë është i pajisur me një sistem që zvogëlon ndotdpjen nëpërmjet dy katalizatorëve që trasformojnë oksidet e azotit dhe një filtri DPF.
Ky motor i kombinuar me kambion manuale me gjashtë marshe ose automatike me tetë marshe do të jetë zemra e modelit Opel Crossland X (kliko këtu për artikullin e plotë) dhe Grandland X (kliko këtu për artikullin e plotë). Modeli Grandland X përshkruan mesatarisht 24,4 km/l dhe emeton 108 g/km CO2 sipas të dhënave të vetë konstruktorit.
Krahas këtyre hapave, Opel ka përcaktuar që tani hapat e ardhshëm të lëvizshmërisë me zero ndotje. Katër modele elektrikë ose hibridë priten brenda 2020, midis të cilëve renditet gjenerata e ardhshme e Opel Corsa në versionin me bateri dhe Grandland X hibride plug-in (vetura e parë e këti lloji për markën Opel). Është parashikuar që brenda 2024 të “elektrifikohet” e gjithë gama, me një version hibrid ose elektrik për cdo model.