na ndiq ne

Opel Mokka X

27/12/2018

 Në panoramën automobilistike aktuale, modelet Suv vazhdojnë të kenë një kuotë gjithmonë e më të madhe. Në këtë segment të ri, kërkesat janë në rritje të vazhdueshme dhe duke parë që gjithmonë e më shumë tipologji klientësh zgjedhin guidën e “lartë” 4×4.

Pikërisht këto modele kanë qenë për shumë marka propozime interesante në treg. Njëri prej këtyre është edhe prodhuesi gjerman Opel, i cili prej 2012 propozon me sukses në treg modelin Mokka X.

Suv-i “i vogël” në fakt nuk është edhe aq i vogël. Me gjatësi 4.27 metra, gjerësi 1.8 metra dhe lartësi 1.65 metra, Mokka X ofron hapësirë të mjaftueshme në bord. Një rol të rëndësishëm luan këtu edhe distanca ndërmjet akseve që kap vlerën 2.55 metra dhe mundëson hapësirën për shoferin dhe pasagjerët. Këtu përfshihet edhe bagazhi, që  përfshirë edhe bagazhin, me vëllim 356 litra në kushte normale, por që në rast nevoje arrin kuotën 1.372 litra, duke palosur sediljet. Nëse keni nevojë për më shumë hapësirë, atëherë ndoshta keni nevojë për një furgon 😊

Nga jashtë Mokka X ka një design të realizuar mirë me një pamje kompakte dhe harmonike. Në maskerino, gjenerata e re pas “operacionit facelift” përfshin vijën e kromuar në të dy krahët e logos, e cla virtualisht lidhet me linjat led në brendësis të fenerëve. Rezultati është një pamje më agresive.

Këtu ndihmojnë edhe disqet me përmasa 18” që mund të zgjidhen edhe në përmasën 19”, për ta që preferojnë një ekulibër edhe më sportiv dhe një estetikë më prej asfalti sesa për rrugë fshati. Linjat e profilit dhe të pjesës së pasme si të gdhendura japin një pamje më solide dhe hijerëndë, në dobi të një pamjeje të përgjithshme prestigjioze për këtë segment.

Në pjesën e brendshme Mokka X është moderne me një zgjedhje interesante: zvogëlohet numri i butonave, por shtohen funksionet dhe teknologjia. Ristilizimi është i fortë dhe i dukshëm, duke u nisur nga kruskoti, blloku i komandave e deri tek sistemi multimedial. Design-i i ri, privilegjon një ripozicionim ergonomik të komandave.

Ekrani me prekje thjeshton përdorimin e fuksioneve infotainment dhe mundëson ndërlidhjen me celularët Android dhe me Apple CarPlay. Nëse doni, Mokka X ofron edhe një skedë te brendshme të dhënash (hard disk) gjë që është e rrallë për makina të kësaj kategorie. Sistemi multimedial ofron edhe lidhje interneti 4G ne të cilën mund të lidhen deri në 7 aparate nëpërmjet “Wi Fi on board”. Sistemi OnStar (për fat të keq jo aktiv në Shqipëri) asiston duke thirrur ndihmë dhe asistencë në rast difekti ose aksidenti.

Motorizimet janë interesante dhe për të gjitha shijet. Benzinë, gaz dhe nëse doni, për më ambjentalistët, por edhe më kursimtarët, Opel ofron modelet me benzinë me impiant gazi LPG të montuar nga vetë fabrika, gjë që do të thotë besueshmëri dhe garanci. Kjo e fundit jo me fjalë, por e shkruar në letër me firmë dhe vulë, pjesë e garancisë zyrtare nga Opel. Një shembull? Motori 1.4 me benzinë (dhe LPG) ofron 140 kuaj fuqi, më se të mjaftueshëm për të shëtitur lehtësisht peshën e Mokka X-it. Motori me naftë 1.600 kubikë me turbo zhvillon 136 kuaj fuqi dhe është gjithashtu një zgjedhje interesante për tregun tonë.

Mokka është një makinë dinamike dhe mjaft e këndshme për t’u ngarë. Timoni është cilësor në prekje, ofron disa komanda të rëndësishme për të mos hequr duart gjatë guidës dhe garanton një përgjigje të mirë në ecje. Pozicioni i guidës, rreth 70 cm nga toka, ofron një pozicion të mirë për të patur çdo gjë nën kontroll. Kjo sjell edhe një ndjesi sigurie, tipike e guidës së një modeli Suv.  

Izolimi akustik është shumë i mirë dhe komforti i përgjithshëm është i një niveli të mirë. Normalisht tërheqja kryhet përpara por në rast të humbjes së aderencës në asfalt tërheqja kryhet 50% nga rrotat e pasme. Kjo është një ndihmë shumë e madhe në rast se asfalti është i lagur ose në rast se ka borë apo akull. Për ata që kanë shpirtin e aventurës dhe duan të ngasin në rrugë të pashtruara, tërheqja edhe në pjesën e pasme ua thjeshton shumë punën. Falë përmasave kompakte, tërheqjes integrale dhe të marshave të optimizuara, ky Suv gjerman mund të ngjitet lehtësisht në terrene të vështira.

Fenerët janë “full Led” përfshijnë teknologjinë AFL (Adaptive Forward Lighting): një sistem inteligjent që përshtat ndriçimin më të mirë sipas rrugës dhe makinave që vijnë përballë, duke mos i verbuar ato, duke oftuar kështu një kontroll të plotë natën. Kamera e përparme Opel Eye lexon tabelat rrugore dhe i pasqyron ato në kruskot. Lidhur me këtë, në bazë të shpejtësisë sistemi ruan edhe distancën e sigurisë, duke njoftuar shoferin nëse është shumë afër me makinën që paraprin.

Sa kushton? Opel Mokka vjen me një çmim agresiv, 16.500 euro. Normalisht, që të kemi një makinë me të gjitha komoditetet e nevojshme duhet shtuar diçka nga lista e opsioneve, edhe për ta shijuar dhe personalizuar sadopak. Por pa krijuar panik, edhe me me opsione si kambio automatike, klimatizator, kompjuter bordi dhe sensorë parkimi me kamera, Mokka X mbetet brenda kuotës 20.000euro, që nuk na duken shumë, për një Suv gjerman, që mund të përfshijë këtu edhe impiantin e gazit Lpg 😉