na ndiq ne

Opel Mokka i ri

14/09/2020

SUV-i kompakt debuton me version elektrik

Opel nxori në pension disi të parakohshëm modelin në 2019 SUV-in kompakt Mokka X. Pavarësisht faktit se prodhuesi gjerman e mbulon mirë gamën e modeleve Suv, Mokka mbetet një model i preferuar gjerësisht nga klientela, fakt ky që nxiti rinovimin e modelit duke e bërë atë gati për porosi.

Koha e dorëzimit do të jetë disi e gjatë, pasi dorëzimet e para do të bëhen në fillim të vitit tjetër, por modeli i ri u shkel syrin klientëve potencialë. Modeli i ri është më kompakt se ai paraardhës me 415 cm gjatësi (12cm më i shkurtër). Nuk ndryshon shumë bagazhi që mbetet në kuotën 350 litra.

Raportet e modelit të ri e bëjnë të duket Mokka-n e re më sportive dhe më moderne. Meritë në modernizimin e tij ka maskerino, e quajtur Vizor, e cila integron fenerët dhe logon ndërsa mbrapa fenerët e ngushtë të pozicionuar horizontalisht plotësojnë një look totalisht të ri.

Rinovimi është më i dukshëm edhe nga brenda me Led me prekje dhe më shumë ergonomi në organizimin e hapësirës. Mokka e re do të ketë disa opsione që zakonisht i gjejmë në modele sipërore siç janë sediljet e ventiluara apo funksioni i masazhit.

Për sa i përket ADAS këtu do të gjejmë ndihmesën në guidë të nivelit 2 që përfshin ruajtjen e korsisë, cruise control aktiv,etj.

Veçori e modelit të ri do të jetë debutimi elektrik. Mokka-e do të jetë pjesë e listës së menjëhershme të porosive, që do të thotë se Opel ka bërë mirë llogaritë duke mbajtur premtimet ekologjike. Mokka-e do të ketë një motor elektrik me fuqi 136 kuaj dhe bateri  me kapacitet 50 kWh. Si zakonisht bateritë janë të vendosura në pjesën e poshtme të shasisë duke lënë kështu më shumë hapësirë për pasagjerët dhe bagazhet. Në rast të karikimit me një kolonë “superfast” me 100 kW fuqi, karikimi bëhet për 30 min deri në 80% të kapacitetit.

Ky version ka një kufizues shpejtësie në 150 km/h dhe tre mundësi programimi të guidës: Sport, Normal dhe Eco. Autonomia e ofruar në ciklin normal është mesatarisht 320 km. Normalisht presim që në Sport autonomia të ulet ndërsa në programin Eco të rritet, por detaje të sakta do të ofrohen më tej.

Pjesë e gamës së motorëve do të jenë edhe motorët me benzinë me 3 cilindra 1.200 kubikë turbo benzinë dhe njësia 1.5 turbodiesel me katër cilindra.

Ende i panjohur çmimi, por së shpejti do të kemi informacion të plotë nga konçesionari shqiptar Opel Noshi.