na ndiq ne

Opel Manta bëhet GSe Elektromod

13/07/2021

Coupé elektrike me kambio manuale

Ishte viti 1970 kur Opel prezantoi për herë të parë një model coupé të përshtatshëm edhe për përdorim familjar. Opel Manta është një model jashtë tregut tashmë edhe pse gjatë karrierës së saj arriti të shiste rreth 750.000 njësi.

Manta ka qenë një model i vlerësuar nga të apasionuarit dhe vazhdoi të prodhohej deri në vitin 1988. Më tej i la vendin modelit më modern Calibra, të cilin e kemi parë edhe në rrugët e qyteteve tona.

Në epokën tonë duket se makinat janë tashmë nën një transformim rrënjësor që askush nuk e din saktësisht ku do të na çojë. Mes shumë dyshimesh, pyetja që shpesh prodhuesit i bëjnë vetes (dhe publikut) është nëse pavarësisht teknologjisë së motorizimit të makinave, tradita dhe estetika mund të ruhen ende apo duhet t’i lënë vend mënyre të re projektimi të makinave.

Nisur nga kjo, pak pas 50 vjetorit të një modeli ikonik si Manta, prodhuesi gjerman bën një provokim publikut që duket sikur do të përfkufizohej me pyetjen: ju pëlqen një model nga e kaluara me teknologjinë e të ardhmes?

Kur themi nga e kaluara e kemi fjalën saktësisht për një model të vërtetë, të vitit 1974, i cili pas një pleqërimi të disa “artistëve” të Opel-it, iu nënshtrua një procesi serioz rinovimi, nëse të tillë mund ta quajmë.

Manta e re quhet saktësish Manta GSe Elektromod dhe në lejen e qarkullimit do të ketë vitin e prodhimit në 1974 ndërsa motorizimin 100% elektrik. Ndoshta ky ekzemplar nuk do të pajiset ndonjëherë me targa, si çdo prototip tjetër, por do të ishte interesante një makinë elektrike që vinte nga 1974.

A është ruajtur origjinaliteti i modelit të parë? Duke parë fotografitë themi se po, pavarësisht se disa grimca futuriste ishin të nevojshme për t’i dhënë tiparet origjinale këtij ekzemplari unik.

Në këtë miks unik vintage + teknologjik, na bie në sy leva e marshave, që në modelin e vjetër kishte vetëm katër marsha ndërsa në modelin elektrik nuk e kemi fort të qartë se çfare funksioni mund të ketë, përveç mundësisë së varjes së ndonjë çelësi apo doreze çantash në rastin e femrave (siç ishte edhe pronarja e vjetër e kësaj makine).

Jashtë gjejmë një aspekt unik: maskerino e kësaj makine flet. Diku midis fenerëve Led dhe dritave të ditës ka një sipërfaqe ku mund të shkruhen mesazhe nëpërmjet smartphone-it tuaj. Kjo mund të bëhet vetëm kur makina është e ndaluar.

Motorizimi parashikon një zgjidhje unike. Motori që gjeneron 147 kuaj fuqi e transmeton atë tek rrotat e pasme nëpërmjet kambios manuale dhe freksionit, duke ruajtur kështu ngjashmërinë në guidë me versionin origjinal të vitit 1974 edhe pse makinat elektrike nuk kanë nevojë as për kambio dhe as për freksion.

Autonomia e kësaj makine shkon deri 200km. Pesha totale e kësaj makine, pavarësisht 175 kg më shumë që sjell motorizimi elektrik (dhe bateria) nuk tejkalon 1.140kg (aq sa peshon vetëm bateria në një Suv të madh elektrik).

Për momentin Manta GSe nuk parashikon prodhimin masiv, por përgjigjia e gjallë që ky model po gjen në rrethe të ndryshme mund të bëjë drejtuesit e prodhuesit gjerman të ndërrojë mendje.