na ndiq ne

Opel Insignia rinovohet

12/01/2020

Teknologji dhe siguri e gjeneratës së re

Në treg prej disa vjetësh, modeli top i prodhuesit gjerman i nënshtrohet një rinovimi të pjesshëm, siç e do “tradita”. Në fakt gjenerata aktuale është një model kontemporan në të gjitha drejtimet e megjithatë, një përmirësim nga ana teknologjike dhe deri diku edhe estetike me siguri që është e mirëpritur.

Prezantimi i këtij modeli ishte parashikuar pikërisht për këto ditë, që përkojnë me sallonin e autos së Brukselit, i cili zhvillohet nga data 10 – 19 janar. Vizitorët e këtij eventi do të mund të shohin të parët nga afër Opel Insignia-n e re në versionet Grand Sport dhe Sports Tourer.

Nga ana teknologjike Opel ka lajmëruar shumë ndryshime, përfshirë motorë të rinj me benzinë dhe naftë. Estetikisht, gjëja e parë që bie në sy janë fenerët e rinj Intellilux Led Pixel me 168 module led. Këta fenerë ofrojnë një ndriçim të përmirësuar të gjeneratës së fundit vërtet inteligjentë dhe në dobi kryesisht të sigurisë e cila është rritur edhe falë kontrollit automatik të dritave të gjata. Fenerët janë rinovuar edhe nga ana estetike duke u bërë më të ngushtë se versioni paraardhës.

Kështu maskerino bëhet edhe më e madhe dhe më e rëndësishme dhe përpunohet edhe nga ana stilistike. Logo Opel rifiton rëndësi në qendër të maskerinos i “mbështetur” nga dy vijat anësore të kromuara. Në pjesën e pasme ndryshimi më i rëndësishëm është ai i tubit të marmitës, i cili merr formë katrore të integruar tek parakolpi i pasëm. Nuk do të ndryshojnë përmasat të cilat mbeten të bollshme për të garantuar hapësirën e një modeli superior të nivelit të një Audi A6 apo të një Mercedesi E Class.

Përmirësime ka edhe nga brenda për sa i përket kruskotit, ku përmirësohen materialet dhe teknokogjia. Infotainment multimedia në versionin top ofron shërbime të reja të ndërlidhura me navigacionin si informacion në kohë reale mbi trafikun, përditësime nga hartat online dhe shërbimin e-call i cili aktivizohet me një buton në rast nevoje ose në mënyrë automatike kur sistemi identifikon një aksident (psh. nga plasja e airbagëve). Sistemi i ri infotainment ofron edhe projeksionin në xhamin e parë (head up display) ndërsa poshtë ekranit me prekje gjendet një vend i posaçëm për karikimin wireless.

Për versionin Sports Tourer, dera e bagazhit tani është elektrike me sensorë që mundësojnë hapjen dhe mbylljen me një lëvizje të këmbës poshtë parakolpit të pasëm.

Për sa i përket sistemeve Adas, këtu do të gjejmë kamerën e pasme, sistemin që sinjalizon nëse një mjet na pret rrugën mbrapa (Rear Cross Traffic Alert) frenimin e emergjencës që dallon kalimtarët, sistemin që ruan korsinë, monitorimin e këndit të verbër, Cruise Control aktiv, leximin e tabelave rrugore, asistencë në parkim e shumë sisteme të tjera.

Së shpejti do të bëhet i ditur çmimi dhe koha se kur do të vijë në sallonin e konçesionarit zyrtar Opel Albania, por paraprakisht ju themi se kjo do të jetë diku nga muaji maj ose qershor i këtij viti.