na ndiq ne

Opel Insignia Gran Sport 1.6 Turbodiesel

29/05/2018

Në një artikull të mëparshëm (kliko këtu për artikullin) kemi trajtuar modelin “ekzekutiv” të prodhuesit gjerman Opel Insignia i pagëzuar edhe Gran Sport. Ky model na u duk interesant në prezantimin e parë dhe vendosëm të provojmë në terren këtë model.

Përzgjodhëm një version që do të jetë padyshim me interes për tregun shqiptar, nëse do t’ia dilte të na bindte për çfarë propozon.

Ku qendronte dyshimi ynë? Versioni i përzgjedhur përzgjedhur për test drive-n tonë ishte i pajisur me motor 1.600 kubikë turbodiesel. Ok, teknologjia ka avancuar, turbo bën punën e saj, por Opel Insignia i gjeneratës së dytë, është 490 cm i gjatë dhe motori 1.6 na duket disi i vogël për “shtatin” e hedhur të Insignia-s.
Nga afër Insignia është vërtet makinë e pashme dhe ofron një design bashkëkohor. Megjithëse gati pesë metra e gjatë, Insignia Gran Sport ruan një pamje dinamike me linja elegante prej një Coupé-je me katër dyer.


Turiri i gjatë ndihmon në një pamje të rëndësishme prej makine përfaqësie të përshtatshme për nivelet më të larta drejtuese. Nga përpara design-i i maskerinos është më agresiv se modeli paraardhës dhe fenerët e ngushtë, kompletojnë një look bashkëkohor dhe vërtet të realizuar mirë.
Fenerët Led janë cilësuar më të mirët e kategorisë dhe këtë e kemi të thjeshtë ta besojmë duke patur parasysh teknologjinë LED Matrix dhe përbërjen nga 32 led për secilin krah të cilët operojnë në autonomi të plotë me njëri tjetrin dhe mundësojnë përshtatjen me rrugën në varësi të lëvizjeve të timonit, ndriçim inteligjent duke ndryshuar këndin e ndriçimit për të mos verbuar makinat që vijnë përballë dhe natyrisht një rreze të gjatë ndriçimi.


Nga ana e çmimit Insignia pozicionohet në segmentin D, por në fakt, nga përmasat, ajo është një konkurrente e denjë e veturave premium të markave më të mira në segmentin E, që “rastësisht” janë gjermane, siç është edhe Insignia Gran Sport.
Kjo gjë pasqyrohet edhe nga brenda, ku hapësira është vërtet prej segmenti E (Executive) të krahasueshme me një Mercedes E Class apo një BMW Seria 5. Sediljet e Insignias Gran Sport janë të çertifikuara AGR (AGR është shoqata shëndetësore gjermane për mbrojtjen e shpinës), dhe kjo gjë i shkel syrin padyshim klientelës familjare të Insignia-s, që padyshim me këtë makinë mund të ndërmarrë udhëtime të gjata e të rehatshme.


Teknologjia në bord është prej kategorie premium me sistemin infotainment që komandohet nga një ekran multifunksional me prekje. Ndërlidhja me aparatet mobile është e plotë nëpërmjet Bluetooth por edhe nëpërmjet platformave Apple Car Play dhe Android Auto. Informacionet e navigatorit janë të lexueshme kollaj por për më shumë thjeshtësi, një head up display projekton informacionet kryesore në xhamin e përparmë. 

Opel Eye është sistemi pamor që ofron një monitorim të vazhdueshëm 360 gradë rreth makinës dhe që në guidë të jep një ndjesi kontrolli dhe sigurie të plotë. Jo vetëm leximi i tabelave rrugore, por edhe detaje si frenimi i emergjencës apo monitorimi dhe ruajtja e korsisë, janë vërtet sisteme të gjalla dhe aktive që të bëjnë të ndjehesh i sigurtë dhe i mbrojtur në çdo rast të papriture të rrugës apo edhe pakujdesie.

Me të shtypur butonin “Start” motori thuajse nuk dëgjohet fare dhe këtë gjë e konfirmuam edhe në udhëtim në shpejtësi të mëdha. Izolimi akustik i Opel Insignia-s është vërtet super. Që në metrat e parë, motori na bën përshtypje për reagimin zotërues që ka ndaj shasisë së madhe. Padyshim që një meritë në këtë rast e ka turbo, që i bën të duken edhe më shumë 136 kuajt fuqi që ofron motori 1.600 kubikë.

Kambio automatike plotëson pjesën tjetër duke ofruar gjithmonë marshin më të mirë në varësi të stilit të guidës. Rezultati është i shkëlqyer dhe pa asnjë ekzagjerim duket sikur je në guidën e një makinë që ka një motor 2.000 kubikë me të njëjtën fuqi. Në çdo moment që zhysim këmbën e djathtë, motori merr xhirot pa hezitim dhe jep sprintin e nevojshëm. E vetmja gjë nën nivelin e pritshëm ishte konsumi, që do të bëjë të lumtur të gjithë klientët: 5 litra/100 kilometra janë vërtet pak për këtë makinë.

Ju kujtohet dyshimi që përmendëm në fillim mbi këtë version? Mund të pohojmë me plot gojën që e kaloi provimin me sukses dhe notë maksimale.
Timoni është në lartësinë e duhur për të ruajtur dinamikën e premtuar në linjat e jashtme dhe për të dhuruar kënaqësinë e nevojshme në guidën që nuk është asnjëherë impenjative dhe gjithmonë relaksuese.
Në 135 kilometrat e bërë gjatë proves sonë, patëm vërtet ndjesinë e freskisë sikur sapo t’i kishim hipur dhe ftesa për të bërë një udhëtim ishte tunduese.
Opel Insignia Gran Sport është një propozim ambicioz nga prodhuesi që edhe për slogan ka zgjedhur të tregojë ADN e tij. “Teknologji gjermane për të gjithë” duket se i përshtatet mjaft mirë situatës dhe mund të themi që këtë gjë e vërtetuam gjatë proves sonë. Opel insignia Gran Sport, në vlerësimin tonë mbetet një propozim interesant për këdo që kërkon një makinë me hapësirë, komode, me teknologji dhe patjetër edhe të sigurtë.
Duke filluar nga 19.900 euro, çmim vërtet atraktiv për këtë makinë, Insignia Gran Sport është e disponueshme pranë konçesionari zyrtar ekskluziv për Shqipëri, Opel Noshi.