Opel Grandland X Hybrid4
Opel Grandland është një model i prodhuesit gjerman që ne e kemi trajtuar më parë (lexo këtu artikullin) por një propozim i ri i këtij modeli vjen vërtet interesant nga të gjitha drejtimet.
Teknologjia hibride është gjëja e parë që na tërhoqi vëmendjen. Versioni i ri i Grandland X, që saktësisht përfshin edhe siglën Hybrid4 në emrin e tij, do të jetë i pajisur edhe me dy motorë elektrikë bateritë e të cilëve mund të karikohen nga karikuesit e shpejtë, por edhe nga rrjeti i shtëpisë. Edhe në rastin e fundit, karikimi mund të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet pajisjes “wallbox” e cila instalohet në mur dhe mundëson karikime më të shpejta.
Grandland X Hybrid4 do të jetë në gjendje të ecë edhe vetëm me motorin elektrik me një autonomi deri në 50 km. Mund të mos duken shumë, por disa studime të kryera në Gjermani pohojnë se thuajse 80% e automobilistëve përshkojnë më pak se 50 km në ditë dhe kjo gjë mund të na duket akoma më e vërtetë në Shqipëri, ku qytetet janë më të vogla dhe distancat më të shkurtra. Me fjalë të tjera, në kusht normale, sidomos nga e hëna në të premte, me Opel Grandland X Hybrid4 konsumi javor i karburantit mund të jetë edhe zero.
Bateritë janë të vendosura poshtë divanit në pjesën e pasme, një zgjedhje e mirë kjo për të mos cënuar hapësirën në bord. Kapaciteti është 13,2 kWh dhe karikohen për katër orë nga një rrjet me kapacitet 3,3 kW, si ai i shtëpisë. Në rastin e përdorimit të një wallbox-i me kapacitet 7,4 kW koha e karikimit përgjysmohet në 1 orë e 50 minuta.
Sistemi motorik i këtij versioni të Opel Grandland X është i përbërë nga një njësi me benzinë 1.600 kubikë turbo që zhvillon 200 kuaj fuqi që bashkë me ndihmesën elektrike arrijnë kuotën 300 kuaj fuqi. Kjo është një nivel fuqie gati gati sportiv për këtë model, duke konsideruar edhe peshën jo të madhe të makinës. Dy motorët elektrikë, janë të vendosur nga një për secilin aks, duke mundësuar kështu edhe tërheqjen 4×4 në rast nevoje.
Ky model pasurohet edhe me programet e guidës, ku ofrohet katër opsione: Elektrike, duke shfrytëzuar motorin elektrik në aksin e përparmë, pra zero konsum dhe ndotje; hibride, ku hyn në punë motori me benzinë; Integrale ose 4×4, për kushte të vështira të terrenit dhe Sport, kur bëhet fjalë për të shfrytëzuar gjithë potencialin e makinës.
Meritë e teknologjisë së avancuar dhe optimizimit të përgjithshëm të makinës, ku përfshihet edhe kambio automatike me tetë marsha, Opel Grandland X Hybrid4 është në gjendje të konsumojë pak më shumë se një litër benzinë për 50 kilometra. Me fjalë të tjera, për të bërë Tiranë – Durrës vajtje – ardhje, mund të mjaftojnë vetëm dy litra benzinë. Kjo po që do të ishte një shpëtim nga pika e karburantit, ku me siguri do të na harronin fytyrën, për sa rrallë do të na shihnin 😊