na ndiq ne

Opel Grandland X hibrid

28/01/2020

Opel Grandland X vjen i rishikuar në motorizimin e tij më ekologjik por njëkohësisht edhe më sportiv. Si është e mundur kjo? Fare thjeshtë, një motori 1.600 kubikë me 200 kuaj fuqi i shtojmë edhe dy motorë elektrikë, atëherë fuqia totale shkon në 299 kuaj fuqi. Motorët elektrikë janë vendosur në secilin aks duke bërë kështu që Opel Grandland X të jetë njëkohësisht edhe 4×4. Emri i plotë i këtij versioni është 1.6 Hybrid4 AWD AT8.

Kjo makinë, në programin “jeshil” të ecjes (vetëm me bateri) deklaron 60 km autonomi, normalisht të mjaftueshme për secilin nga ne për kilometrat e ditës.

Programet e guidës janë katër, të mjaftueshëm për të patur tërheqjen ideale në çdo situatë. “Ecje elektrike” është ecja ekologjike që përmendëm më lart. “Hibride” është programi që bashkërendon motorin termik me motorët elektrikë, “Tërheqje integrale” është programi për terrenet e vështira dhe “Sport” është programi më performant për ecjen në asfalt ku 300 kuajt fuqi arrijnë të “shkrepin” një kohë prej 6.1 sekondash për të shkuar nga 0 – 100 km/h dhe një shpejtësi maksimale prej 235 km/h.

Bateritë në dispozicion të Opel Grandland X Hybrid4 kanë një kapacitet prej 13,2 kWh, peshojnë 120 kg dhe siç zakonisht bëhet në këto raste, janë të pozicionuara poshtë sediljeve të pasme. Koha e karikimit nga rrjeti i shtëpisë është rreth 4 orë, ndërsa nga një rrjet karikimi i fuqishëm koha është më pak se gjysma.

Opel premton një guidë me shumë fytyra, të gjitha më tërheqëse në llojin e saj. Në qytet mund të ecim me hap të shpejtë, por me zero zhurmë dhe zero tym ndërsa në rrugë më të gjata performanca është e garantuar nga një fuqi e respektueshme. Na mbetet veç të presim një test drive të këtij modeli që me sa lexojmë sa më shpejt, aq më mirë do të ishte.