na ndiq ne

Opel Grandland X fiton çmimin Off Road

17/10/2018

Lexuesit e revistave gjermane “Off Road” dhe “Suv Magazine” në një konkurs të përvitshëm duket se kanë bërë një zgjedhje unanime në përzgjedhjen e modelit të tyre të preferuar.
Modeli Grandland X ka bindur klientët dhe publikun jo vetëm me cilësinë, por edhe me popullaritetin që gëzon tashmë duke fituar çmimin e lexuesve për kategorinë ku bën pjesë për vitin 2018. 

Në këtë garë Opel Grandland X ka lënë pas 11 kompetitorë. Në këtë renditje, kanë marrë një numër të konsiderueshëm votash edhe modelet Crossland X, për kategorinë City SUV, duke përfunduar në podium dhe Suv-i familjar Mokka X, ndër më të votuarit. Mokka ndërkohë është dy herë fitues në kategorinë e tij në vitin 2013 dhe 2014.


Sipas Opel-it, kënaqësia e guidës së bashku me një paketë të mirë teknologjike që përfshin Forward Collision Alert (sinjalizim në rast përplasjeje) fenerët LED apo sediljet ergonomike të çertifikuara AGR, përbëjnë një recetë që po shpërblen prodhuesin gjerman me kuota tregu në rritje.
Në lidhje me këtë recetë, duke u kthyer tek modeli i këtij viti, Grandland X, na u duk me interes motori “top” 2.0 Turbodiesel, që ofron 177 kuaj fuqi dhe një seri interesante opsionesh dhe aksesorësh (kliko këtu për aksesorët e Opel Grandland X). Ky motor, me siguri mbetet një ndër më interesantët për tregun shqiptar, ku nafta është ende dashuria jonë, edhe pse bota po shkon diku tjetër tashmë.


Fuqia e motorit 2.0 td është më se e mjaftueshme për të shtyrë lehtë peshën e Grandland-it. 177 kuaj fuqi janë të disponueshëm në regjimin 3.750 xhiro/min të shqëruar nga një vlerë e konsiderueshme të momentit rrotullues: 400 Nm, duke filluar nga regjimi 2,000 xhiro/min.
Kjo i garanton Grandland X-it një sprint 0-100 km/h për 9,1 sekonda dhe një shpejtësi maksimale 214 km/h. E shoqëruar kjo nga vlerat e konsumit, ku Opel deklaron 4.9 litra/100km, mund të themi se ky motor bën një punë të lavdërueshme.
Kambio automatike me tetë marsha është një tjetër opsion që i shkon për shtat një makine të këtij niveli. Në rrugën tuaj drejt aventurave, nuk mund të mungojë sistemi “IntelliGrip” që kontrollon rrotullimin e rrotave dhe mund të programohet në pesë programe: Normal, Snow (borë), Mud (gjol), Sand (rërë) dhe Esp off, që nevojitet për një guidë të sigurtë në kushte fuoristrade.


Nga ana e pamjes Grandland X, në versionin Ultimate godet në fillim me disqe 19” që i japin një karakter sportiv. Teknologjia ka në vëmendje edhe sigurinë, që shkon nga frenimi i emergjencës, tek ruajtja e korsisë, monitorimi 360 gradë përreth makinës dhe dallimi i shenjave të lodhjes së shoferit. Patjetër që Android Auto dhe Apple CarPlay nuk mund të mungojnë, por në paketë gjendet edhe asistenti i shërbimit Opel OnStar (jo aktiv në Shqipëri) sistemi audio Denon Premium Sound System dhe sistemi multimedial i infotainment IntelliLink me një monitor 8″. Nëse do të zgjidhni këtë paketë, mbetet shumë pak për t’u porositur ekstra me pagesë. Këtu do të kishim tavanin panoramik, sistemin e kontrollit të aderencës “IntelliGrip”, “cruise control” aktiv dhe “roof box” me vëllim 470 litra.


Në bordin e Opel Grandland X nuk mungon hapësira dhe komoditeti. Makina është e ngjitur mirë në asfalt dhe ofron veti të mira dinamike duke ruajtur rehatinë në nivele të larta. Këtu një meritë të veçantë kanë sediljet e çertifikuara AGR që mbajnë mirë trupin dhe nuk të lodhin edhe pas shumë kilometrash.
Përveç risive që ne kemi prezantuar herë pas here, e rëndësishme është të kujtojmë këtu versionin hibrid Plug-in, që do të jetë një nga modelet e para që do të inaugurojë këtë teknologji, së bashku me tërheqjen 4×4, një karakteristikë e rëndësishme kur flasim për një SUV.