Opel Crossland X
Crossland X është ndoshta modeli më i vogël i gamës Suv/Crossover nga prodhuesi gjerman. Ai vjen në treg si përgjigje e një mikrosegmentimi të klientelës, por duke sjellë me vete një seri opsionesh dhe aksesorësh prej një modeli sipëror, përfshirë këtu edhe një paraqitje trendy me tavanin me ngjyrë të ndryshme nga pjesa tjetër e karrocerisë.
Nëse po vrisni mendjen se si është pritur nga tregu, po ju themi menjëherë se në thuajse një vit nga lançimi real në treg, Crossland X ka tejkaluar kuotën 100.000 njësi të shitura, që mund të themi pa doreza se është një përgjigje më se pozitive.
Për të thënë dy fjalë mbi këtë model, le ta fillojmë nga “pashaporta”: quhet Crossland, një emër të çon qartësisht në terrene jashtë asfaltit dhe merr pas gërmën “X” që e bashkon të gjithë modelet e “larta” të prodhuara nga Opel.
Nga ana e përmasave Crossland X është vërtet një Suv kompakt, me gjatësi 4.2 metra dhe gjerësi 1.76 metra, por që pavarësisht këtyre numrave, ofron hapësirë të mjaftueshme në bord përpara, mbrapa dhe në bagazhe gjithashtu. Në rastin e bagazhit, vëllimi kalon nga 520 litra, në kushte normale, në 1,255 litra, duke palosur sediljen e pasme. Hapësira në lartësi dhuron ndjesinë e një makine më të madhe. Hapësira është jo vetëm e mjaftueshme por edhe modulare. Kjo falë divanit të pasëm, i cili mund të kërkohet edhe me opsionin e lëvizjes në shina, duke optimizuar hapësirën për pasagjerët apo për bagazhet.
Bagazhi duket në lartësinë e duhur së bashku me bazën praktike që mund të pozicionohet në nivele të ndryshme, për të ofruar më shumë prakticitet apo hapësirë.Një tregues i teknologjisë bashkëkohore është edhe pesha e këtij Suv-i që fillon nga 1,163 kg me motorin 1.200 kubikë me benzinë.
Mjafon kaq për të thënë se Crossland X, është një model praktik dhe funksional në të gjitha drejtimet?
Nga ana e paraqitjes, Crossland X ka tiparet e një modeli të ri me design aktual. Maskerino në stilin e modeleve të tjera Opel me dy krahët e inoksit në të dy anët e logos ruan një pamje prestigjoze së bashku me detajet e tjera si elemente dekori të kromuara, mundësia e tavanit në ngjyrë tjetër nga karroceria dhe forma e bishtit, pak e ngritur që e bën Crossland X-in të duket edhe “sporty”.
Nga brenda vërejmë se kruskoti është realizuar me kujdes dhe materiale cilësore në sy dhe në prekje. Kombinimet e plastikës dhe lëkurës janë një miks i mirë design-i për një paraqitje dhe ndjesi dinjitoze. Në qendër të kruskotit, si në çdo model Opel gjejmë monitorin 7” që është edhe qendra e komandës për funksionet e infotainment, e cila bazohet në sistemin e avancuar IntelliLink Infotainment. Ndërlidhja është e plotë nëpërmjet bluetooth pa fije ose Apple Carplay dhe Android Auto në rastin e lidhjes me kabëll. Dy porta USB poshtë bllokut të komandave tregojnë kujdesin e Opel-it për të ofruar shërbime të domosdoshme në epokën e dixhitalizimit universal. Këtu gjejmë edhe opsionin (bashkëkohor) të karikimit wireless, që jo çdo makinë e kësaj kategorie e ofron.
Tjetër gjë interesante e Crossland X janë motorët të cilët janë të gjithë të orientuar drejt misionit të ofrojnë kursimin maksimal, duke i bërë një nder mjedisit por edhe xhepit 😉
Kështu, njësitë e benzinës bazohen në versionin 1.200 kubikë me tre cilindra me benzinë, të cilët zhvillojnë tre nivele fuqie: 82, 110 dhe 131 kuaj fuqi dhe në njësitë 1.500 dhe 1.600 kubikë me naftë me fuqi që fillojnë nga 99 kuaj me konsum thuajse të pabesueshëm: Opel deklaron vetëm 3.8 litra/100 km. Për të gjithë “tekanjozët” nuk mungon kambio automatike, një kërkesë gjithmonë e më e madhe në tregun tonë.
Teknologjia është e pasur me fenerët me ndriçimin e optimizuar me teknologjinë AFL (Adaptive Forward Lighting): sistemi inteligjent që përshtat ndriçimin më të mirë sipas rrugës dhe makinave që vijnë përballë, duke mos i verbuar ato, duke oftuar kështu një kontroll të plotë natën. Kamera e përparme Opel Eye lexon tabelat rrugore dhe i pasqyron ato në kruskot. Për një lexim më të thjeshtë të simboleve në kruskot, ofrohet edhe opsioni “OnScreen Display” i cili projekton të dhënat kryesore në xhamin e parë, për të mos hequr sytë nga rruga.
Sistemi Opel Onstar (për fat të jeq jo aktiv në Shqipëri) ofron shërbime të avancuara në bord, si orientim për parkime, restorante, shërbime të ndryshme në qytete apo edhe për të thirrur asistencë në raste aksidenti apo difekti. Sistemi 4G LTE Wi-Fi Hotspot ofron internet në bord nëpërmjet një karte telefonike me shërbim interneti që sot në Shqipëri e ofrojnë të gjithë operatorët e telefonisë.
Njësoj si në lartin e modelit “vëlla” Opel Mokka X, Crossland X është i disponueshëm në konçesionarin zyrtar Opel në Shqipëri edhe versionin me gaz LPG, të montuar nga fabrika Opel dhe e përfshirë në garanci.
Opel Crossland X ofrohet me një çmim vërtet tërheqës që fillon nga 15.500 euro. Nëse njësitë e pranishme në autosallon nuk ju bindin nga kombinimi i ngjyrave apo keni kërkesa personalizimi të ndryshme, atëherë mund të bëni porosinë tuaj sipas të gjitha kërkesave tuaja, për të patur një Crossland X unike, pse jo? Çmimi në këtë rast është një “llastik” që mund ta tendosni sa t’ju mbajë xhepi, por nëse doni një orientim të përgjithshëm, brenda kuotës 19.000 euro mund të keni një Suv me kambio automatike, sistem infotainment me ekran me prekje me përmasa 7”, disqe alumini dhe klimatizator dual zone.