na ndiq ne

Opel Combo Life

26/03/2019

Ka shumë mënyra për të përshkruar një makinë. Mund të nisemi nga përdorimi, nga performanca, nga komoditeti, nga hapësira dhe sidomos nga çmimi.

Modeli që do të prezantojmë këtu është fituesi i çmimit europian “Van of the Year” (modeli Van i Vitit 2019) si dhe fituesi i konkursit AutoBest 2019 dhe i ka nga pak (ose nga shumë) të gjitha cilësitë që përmendëm më lart.

Opel Combo Life është një model që i shkel syrin klientelës racionale, e cila e ka të qartë se çfarë kërkon nga një makinë. Ky model ofron shumë, por pa dashur të shpenzojë shifra të çmendura.

Nga jashtë Opel Combo Life ka një design të pastër dhe të orientuar drejt linjave të pangarkuara, por me detaje që e bëjnë të duket një makinë e rëndësishme. Maskerino është me përmasa të mëdha dhe logo Opel në qendër shoqërohet nga dy vija të kromuara që lidhen me design-in e fenerëve, si në modele të tjera Opel. Fenerët anti mjegull dhe parakolpi i kromuar në pjesën e poshtme plotësojnë turirin me detaje cilësore, ndërsa në profil parafangot e evidetuara në reliev janë detaje që pasurojnë pamjen e jashtme të Combo Life.

Nga brenda një pikë e fortë është fakti që Opel Combo Life është një kampion hapësire dhe fleksibiliteti, duke filluar nga gjatësitë në të cilat ofrohet: 4.4m dhe 4.75m me dy konfigurime, pesë dhe shtatë vende. Design i hapësirës së brendshme është gjithashtu i pastër, por harmonik dhe mikpritës. Asemblimet janë bërë me kujdes. Detajet si kuadri me funksione dixhitale, kruskoti esencial dhe praktik me në qendër ekranin nga ku komandohet infotainment e bëjnë këtë model një makinë të pasur si të ishte një model ambicioz. Ekrani me prekje ka përmasa 8” dhe ofron ndërlidhje perfekte nëpërmjet platformave Apple CarPlay dhe Android Auto.

Për pasagjerët ofrohet shumë, duke filluar nga lidhjet USB, në sediljet përpara dhe mbrapa ndërsa përpara gjejmë edhe një prizë 230V për të karikuar edhe laptop-in nëse nevojitet. Karikimi për celularët, përveç lidhjeve USB, mundësohet edhe wireless në zonën poshtë bllokut të komanadave, siç mund ta gjejmë në modele më të shtrenjta.

Bagazhi ka një kapacitet të bollshëm që në konfigurimin minimal, 597 litra, deri në 2.993 litra me sediljet e shtrira. Një ide shumë praktike këtu është dritarja e derës së bagazhit e cila hapet për të vendosur brenda sende dhe objekte jo shumë voluminoze, pa qenë nevoja të hapësh gjithë makinën.

Në të gjithë makinën nuk mungojnë vendet për të vendosur objektet tuaja. Në sediljen e pasme nuk mungojnë edhe kapjet izofiks, për të vendosur në mënyrë më të thjeshtë dhe të sigurtë sexholinot e fëmijëve.

Motorët e ofruar për këtë model janë të orientuar drejt kursimit. Kështu, njësitë e para me të cilat ofrohet janë njësitë 1.200 kubikë, me tre cilindra turbo me benzinë me 110 dhe 130 kuaj fuqi. Motori me naftë ka vëllim 1.500 kubikë, me katër cilindra turbo dhe ofron fuqi 75, 100 dhe 130 kuaj fuqi.

Kambiot janë të ndryshme dhe përfshijnë kambio manuale me pesë dhe gjashtë marsha si dhe kambio automatike me tetë marsha.

Opel Combo Life ofron shumë edhe nga ana e performancës. Për të mundësuar një ecje të sigurtë në terrene të ndryshme, makina është e pajisur me sistemin e studiuar nga Opel i cili gjendet edhe në modelet Suv të prodhuesit gjerman. Sistemi Intelligrip, njësoj si në një Suv të shtrenjtë, mundëson përzgjedhjen e programit të guidës. Nëpërmjet kontrollit elektronik, ky sistem garanton gjithmonë aderencën maksimale sipas programit të përzgjedhur.

Teknologjia e këtij modeli përfshin ende shumë, për të qenë në makinë “racionale”.

Driver Drowsiness Alert dallon nëse shoferi shaq shenja lodhjeje, frenimi automatik është në gjendje të dallojë kalimtarët, telekamera OpelEye lexon tabelat rrugore, Cruise Control është aktiv (frenon nëse makina përparangadalëson dhe rimerr shpejtësi kur ajo shton shpejtësinë). Në ecjen mbrapsh Combo Life ofron sensorë parkimi por edhe kamera me pamje të plotë 180 gradë. Head-up display projekton informacionet kryesore në xhamin e përparmë ndërsa Advanced Park Assist vjen në ndihmë gjatë manovrave të parkimit.

Trailer Stability Control ofron stabilitet dhe siguri nëse jeni duke tërhequr një roulotë përshembull ndërsa Flank Guard është sistemi që të ruan nga pengesat që mund të ndeshen në raste kthesash me rreze të ngushtë, kur pengesat e ulëta janë të vështira të dallohen nga pasqyra.  Jo për vendin tonë natyrisht, por duke qenë projektuesit gjermanë, nuk mungon edhe ndezja me telekomandë dhe programim kohor kur jashtë kemi mot bore dhe të ftohtë ekstrem.

Sa kushton? Sic e themi gjithmonë, kjo është diçka që e vendos vetë blerësi, si në një menu,  me përzgjedhjet e tij. Opel këtu është “agresiv” në propozim. Një shembull?

Version Enjoy, me motor nafte me 100 kuaj fuqi, me konsum mesatar 4.3 litra/100km është një kandidat serioz që kushton 17.500euro dhe ka një listë të gjatë opsionesh të përfshira në çmim si pasqyra te elektrike me ngrohje, sistem automatik të ndezjes së dritave, kondicioner, radio me ekran të madh me ndërlidhje USB dhe Bluetooth, ESP,  ABS, sistem të monitorimit te presionit te gomave, lexues të tabelave rrugore, sistemin e ruajtjes së korsive e shumë të tjera.