na ndiq ne

Opel Combo Cargo

31/03/2019

Automjetet komerciale janë në përgjithësi mjete pune që kanë funksionin kryesor kapacitetin transportues dhe rezistencën.

Po sikur një prodhues të mendonte se kohët kanë ndryshuar dhe çdo automjet, edhe komercial qoftë, ka nevojë për më shumë teknologji, më shumë siguri dhe pse jo, edhe më shumë komoditet për përdoruesit e tij? Pikërisht kjo ka qenë ideja e prodhuesit gjerman kur projektoi modelin e ri Opel Combo Cargo. 

Opel Combo Cargo bazuar në vetitë e tij është vlerësuar edhe si fituesi i çmimeve europiane “Van of the Year” (Furgoni i Vitit 2019) dhe AutoBest 2019.

Combo Cargo është një furgon me përmasa kompakte, por me gjithë hapësirën e nevojshme për të transportuar çdo gjë. Përmasat e jashtme, njësoj si në rastin e binjakut Combo Life, variojnë nga 4.4 metra të versionit bazë, deri në 4.75metra të versionit XL. Ajo që bie në sy për një furgon të këtyre përmasave është jo vetëm mundësia e përzgjedhjes së gjatësisë, por edhe e konfigurimit. Siç shihet edhe në fotot në galeri, Combo Cargo mund të përzgjidhet në konfigurimin klasik vetëm për transport mallrash, si dhe në konfigurimin miks me deri pesë vende për pasagjerë dhe hapësirën tjetër për ngarkesa.

Për sa i përket kapacitetit të ngarkesës këtu mund të ngarkoni deri në vëllimin 4.4 m3, peshë deri në 1.000kg dhe sende me gjatësi deri në 3.45 metra.

Nëse deri këtu Combo Cargo ju ka bindur me aftësitë e tij, më e bukura fillon tani. Teknologjia e disponueshme tek ky automjet është e krahasueshme me atë të një veture bashkëkohore.

Le ta fillojmë nga brenda: hapësira është projektuar e pastër, por harmonike. Asemblimet janë bërë me kujdes. Kruskoti është esencial dhe praktik me në qendër ekranin nga ku komandohet infotainment, i cili është vërtet i një niveli të lartë për kategorinë e mjeteve tregtare. Mund të përzgjidhet midis dy versioneve Multimedia Radio ose Multimedia Navi Pro. Në rastin e këtij të fundit, jo vetëm ekrani është me prekje dhe me përmasa 8”, por ofron ndërlidhje perfekte nëpërmjet platformave Apple CarPlay dhe Android Auto.

Nga ekrani i këtij sistemi mund të shihen imazhet e kamerës që ofron pamje të plotë në ecjet mbrapsh dhe të një kamere të dytë, të vendosur tek pasqyra e pasagjerit, që ofron një fushëpamje të zgjeruar dhe ndihmon edhe në monitorimin e kalimtarëve apo çiklistëve që mund të kalojnë afër, duke rritur ndjeshëm sigurinë në këtë drejtim.

Klimatizatori është me dy zona dhe Combo mund të pajiset me sedilje dhe timon me ngrohje.

Edhe teknologjia në dobi të sigurisë është e pafundme me plot 19 sisteme. Flank Guard ndihmon në ruajtjen nga fërkimet dhe gërvishjet anësore, Intelligrip, kontrolli i tërheqjes garanton ecje optimale edhe në terrene të vështira jashtë asfaltit. Veçanërisht me interes këtu, për ata që parashikojnë përdorim masiv në rrugë të vështira mund të jetë përzgjedhja e shasisë “kantier” 3cm më e lartë nga toka me rrota më të mëdha.

Forward Collision Alert është frenimi i emergjencës që është në gjendje të dallojë kalimtarët, Lane Keep Assist është sistemi iruajtjes së korsisë, Cruise Control është aktiv dhe përshtat shpejtësinë sipas mjeteve të tjera në korsi, Hill Descent Control është asistenti i një zbritjeje të sigurtë në disheza, e shumë sisteme të tjera bëjnë këtë automjet një kombinat teknologjie.

Njësoj si në rastin e modelit Combo Cargo, motorët e ofruar kanë për objektiv kursimin. Njësitë motorike janë 1.200 kubikë, me tre cilindra turbo me benzinë me 110 dhe 130 kuaj fuqi. Motori me naftë ka vëllim 1.500 kubikë, me katër cilindra turbo dhe ofron fuqi 75, 100 dhe 130 kuaj fuqi.

Kambiot janë të ndryshme dhe përfshijnë kambio manuale me pesë dhe gjashtë marsha si dhe kambio automatike me tetë marsha.

Çmimi? Është në lartësinë e titullit “Furgoni i Vitit” gjithashtu. Për verionin me motor me naftë 1.500 kubikë me 75 kf, të pajisur me pasqyra elektrike me ngrohje, drita ditore, ESP, ABS, pilot automatik, kondicioner, me paketën “Cool and Sound” që përfshin katër altoparlantë dhe sistemin Radio Multimedia Touch Screen (me BlueTooth dhe USB) çmimi është 15.300euro. Përveç edhe shumë opsioneve të tjera, në vëmendje fakti që garancia që ofrohet është për katër vjet.

Mjafton kaq për të bërë një vizitë në konçesionarin zyrtar Opel?