Opel 4/8 HP mbush 110 vjeç
“Doktorwagen” na kujton origjinen e automobilizmit
Ka qenë një kohë kur makinat nuk ishin kaq teknologjike sa janë sot, kur fuqia ishte e kufizuar, kur kabina e mbyllur ishte një risi dhe automobili ishte një mjet për pak të privilegjuar.
E megjithatë, edhe pse mbi një shekull më parë makinat ishin vërtet primitive, në atë kohë ato shiheshin si një shpikje e madhe që do të ndryshonte mënyrën e të jetuarit. Në fakt, në njëfarë mënyre kjo ndodhi, duke e bërë gradualisht makinën pjesë të jetës sonë të përditshme, por që atëherë, ka kaluar një kohë e gjatë, nga e cila ndoshta ia vlen të kujtohen disa marka apo modele legjendare.
Kështu, diku nga origjina e automobilit, në viset gjermane, do të gjejmë një markë të mirënjohur, ndër më të vjetrat, e cila na ka shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit evolutiv të makinave siç ne i njohim sot.
Opel 4/8 HP ose Doktorwagen, një ikonë e automobilizmit të asaj kohe, është prezantuar për herë të parë në vitin 1909. Dy vende, kabinë të mbuluar (jo të mbyllur) dhe 8 kuaj fuqi ishin një “recetë” e suksesshme që atëherë ishte studiuar për doktorët (këtu dhe emri) një klasë me fuqi blerëse të rëndësishme. Në ato vite, siç e thamë, klasa e mesme nuk mund t’i lejonte vetes luksin e një makine.
Opel 4/8 HP (HP nga anglishtja “horse power”) shtyhej nga një motor 1.000 kubikë i cili zhvillonte “plot” 8 kuaj fuqi, në regjimin 1.600 xhiro. Kambio ishte manuale me tre marsha dhe tërheqja ishte në aksin e pasëm 😊
Shpejtësia e “Makinës së Doktorit” ishte 50 km/h (jo pak nëse mendojmë kohën) dhe makina konsumonte 8 litra benzinë/100 km. Me sa duket modeli ishte i menduar mirë pasi shitjet konfirmuan që Opel 4/8HP ishte një sukses i vërtetë.
Çmimi ishte 4.000 franga gjermane dhe Opel shiti që në vitin e parë rreth 850 makina. Disa prej tyre ishin në formën e një pick-up për të mundësuar transport mallrash në pjesën e bagazhit. Vitin e dytë shitjet u dyfishuanpër të arritur më tej në kuotën 3.500 njësi të shitura. Mund të mos duken shumë, por nëse mendojmë që në ato vite makina ishte një luks për pak dhe sidomos që prodhimi masiv lindte në këtë periudhë, këto shifra meritojnë një duartrokitje të ndjerë. Për të qenë edhe më të saktë nga ana historike, kujtojmë këtu që në këtë periudhë Opel ishte prodhuesi kryesor i makinave në Gjermani, me përqindjet më të larta të shitjeve.