Një Cadillac Escalade speciale në shitje
Sylvester Stallone shet ekzemplarin e personalizuar
Hollywood ka patur gjithmonë shije të veçanta për makina. Kjo ndodh edhe kur është rasti i një makine gjigande si Cadillac Escalade.
Me sa duket për dikë, Escalade nuk është i madh sa duhet dhe Sylvester Stallone i ka besuar personalizimin e makinës së tij kompanisë amerikane Becker Automotive Design, një kompani kaliforniane që zakonisht merret me “plotësime dëshirash” edhe kur ato janë të veçanta si të një divi Hollywood-ian.
Makina e tij, e cila ka kushtuar 409.000 dollarë pas personalizimit, pasi ka përshkuar vetëm 1.609 km (1.000 milje praktikisht), tani shitet për 350.000 dollarë (pak më pak se 300.000eur). Duhet thënë që ky nuk është një çmim normal për një Escalade, i cili në çmim normal kushton rreth 95.000 dollarë, por ndoshta divi i filmave për dikë i jep vlerë të shtuar kësaj makine.
Nga ana tjetër, Becker Automotive Design i ka shtuar mjaft vlerën këtij ekzemplari duke bërë një punë të rrënjësishme personalizimi. Së pari, versioni në fjalë, është pagëzuar “Limousine” dhe është gjysëm metri më i gjatë se versioni normal. Gjatësia totale pra është 5.71m. Nga brenda duket sikur ke hipur në një avion privat presidencial ku lëkura e cilësisë së rrallë bashkë me materiale të tjera luksoze duket të mos jenë kursyer. Televizorët në bord janë tre: një 43” dhe dy nga 12” secili.
Edhe pse Stallone ka bërë vetëm 1.000 milje me këtë makinë, ai është marrë vetë përsonalisht me çdo detaj të këtij personalizimi luksoz. Nuk thotë se përse i duhej, por tani nuk i duhet më sepse … Ajo që aktori 74 vjeçar uron është që pronari i ri i kësaj makine ta gëzojë për shumë vjet këtë xhevahir që është sipas tij një mjet unik për sa i përket elektronikës në bord, komoditetit dhe luksit.
Le të themi që çmimi i këtij ekzemplari del tërësisht nga logjikat e tregut dhe më skeptikët nuk besojnë se do të jetë kollaj shitja e tij. Si mendoni, do ta ketë të thjeshtë star-i i kinemasë të shesë këtë makinë? Mos ndoshta është rasti të hapim fjalën në Shqipëri tek ndonjë pasanik kapriçoz? Hapeni fjalën se kështu ndihmoni edhe shokun tuaj Rocky 🙂