Nissan Micra
Megjithëse prodhuesit japonezë janë disi më larg atyre europianëve për shijet dhe njohjet e publikut tonë, Nissan mbetet një markë e mirënjohur për modelet e saj.
Kjo si fillim falë modeleve legjendare në segmentin 4×4, si Patrol, Terrano apo Pathfinder, por prodhuesi japonez duket se ka ditur të bindë klientelën mbarë botërore edhe me një model kompakt të segmentit B, si Nissan Micra. Ky model në fillim u propozua si vërtet i vogël, në dy gjeneratata e para, por më tej është rritur gradualisht për të ofruarmë shumë hapësirë dhe komoditet.
Gjenerata aktuale është tërësisht në përmasat e segmentit ku bën pjesë. Micra e re është e gjatë plot 4 metra, e gjerë 1.74 m dhe e lartë 1.46 m. Hapësira midis akseve është 2.53 m. Bagazhi ofron një kapacitet 300 litra në kushte normale që mund të arrijnë deri në 1.004 litra me sediljen e palosur. E gjitha merr një pamje të kompletuar nëse shohim përmasat e rrotave, 205/45/R17. Përmasa që fare mirë mund të përdoren nga një BMW seria 3 apo Audi A4.
Nga ana e design-it, Micra e re është europianizuar mjaft me linja më të pastra, më tradicionale nëse duam, por duke ruajtur një pamje cilësore. Pamja e përgjithshme është kompakte, turiri jo shumë i gjatë, por i mprehtë në zonën e maskerinos. N “fytyrë” gjejmë design-in familjar të modeleve të fundit Nissan, me logon në qendër dhe “mustaqen” e kmomuar që është elementi dominant në të. Parakolpi është një kompletim i goditur në pjesën e poshtme dhe përfshin në të dritat e mjegullës. Profili është i pastër në tërësi por i gjallëruar nga një vijë e punuar në reliev që dallgëzon në pjesën e sipërme të dyerve dhe ritmon në mënyrë harmonike gjithë pamjen.
Nga brenda Micra ka një stil të pastër por vërtet harmonik dhe që na habiti për design-in e përgjithshëm, aktual sipas trendit bashkëkohor. Infotainment është në qendër të kruskotit dhe ofron teknologji të avancuar për këtë segment. Sistemi operativ Nissan Connect është i përmirësuar me përditësimet e fundit dhe ofron ndërlidhje me platformat Apple CarPlay dhe Android Auto.
Një nga motorët interesantë është njësia 1.000 kubikë me benzinë, me tre cilindra dhe 71 kuaj fuqi në versionin bazë që mund të shkojnë deri në 117 kuaj në versionin më të fuqishëm. Opsional ofrohet kambio automatike e llojit CVT. Konsumet e deklaruara nga Nissan janë 5litra/100km dhe nqs janë reale nuk janë keq. Jemi mësuar me lloj lloj deklarimesh, por jo të gjitha janë të vërteta. Sapo të bëjmë një provë do të dijmë të themi më shumë për këtë model me emër dhe karrierë të respektueshme.