Nissan, “Alarmi i dyerve të pasme”
“Rear door alert” ose “Alarmi i dyerve të pasme” është sistemi i shpikur nga Nissan i cili sinjalizon që mos të harroni te hapni derën e pasme kur mbërrini në destinacion sepse ka memorizuar që ju e keni hapur atë përpara se të niseni.
Ndoshta në Shqipëri do të na duket i tepërt, por në Europë dhe përtej oqeanit, ndoshta nga jeta tepër e stresuar në metropolet e mëdha, ndoshta sepse ritmet e jetës janë shumë të shpejta ose gati gati të papërballueshme, kjo gjë ka ndodhur më shpesh sesa mund të mendohet dhe nganjëherë me pasoja tragjike.
Nissan vjen me një risi që do të vlerësohet shumë nga të gjitha familjet me fëmijë të vegjël.
Funksionon më mënyrë shumë intuitive: verifikon nëse në nisje dera e pasme është hapur përpara se të hapet dera e shoferit (ky është rasti kur në makinë është vendosur bebja në vendin e tij përpara se të vendosemi në timon) dhe nëse e njëjta derë nuk hapet në mbërritje, makina sinjalizon me sinjal tek kuadri dhe duke i rënë borisë nëse largoheni nga makina pa e hapur derën. Sistemi mund edhe të çaktivizohet në rast se është i panevojshëm.
Për momentin ky sistem është i vlefshëm vetëm për tregun amerikan dhe ofrohet si pajisje bazë e modelit Pathfinder, por shpejt do të ofohet më gjerë edhe në modelet e tjera të markës japoneze.
Ideja brilante erdhi nga dy inxhiniere nëna me fëmijë të vegjël të cilat ia propozuan sektorit teknik për të parë mundësinë e realizimit të këtij sistemi i cili u bë tashmë fakt dhe një pajisje shumë e dobishme për të gjitha familjet me fëmijë të vegjël.