Në shitje Aston Martin DB5 origjinal i 007
Shpesh dëgjojmë për shitje makinash me vlera stratosferike, shitje të cilat bëhen në një ankand ku objekti jo rrallë kjo ka të bëjë me makina “të vjetra”.
Në një rast të tillë bëhet fjalë më shumë për vlera historike të automjetit sesa për anën teknologjike apo për ndonjë detaj tjetër të rastit. Nëse në këtë drejtim vlerat kanë qenë ndonjëherë të drejta, pavarësisht se jashtë logjikës së përditshme, nuk ka patur një rast që e meriton më shumë sesa objekti në fjalë.
Në muajin gusht do të dalë në ankand një prej katër ekzemplarëve Aston Martin DB5 të prodhuar jashtë serie, për të qenë pjesë e filmave me agjentin legjendar 007 James Bond. Njëri prej këtyre ekemplarëve është prej kohësh në duart e një koleksionisti, i cili e rigjeti pasi ia kishin vjedhur në vitin 1997.
Filmi në të cilin kanë performuar këto makina ka qenë Goldfinger, i vitit 1964. Ankandi do të zhvillohet në Monterey dhe do të përfshijë një nga tre makinat e mbetura. Kompania RM organizatore e ankandit shpreson të marrë midis 4 – 6 milionë dollarë. Kjo makinë përveç se ruan në mënyrë besnike çdo detaj të modelit origjinal, përfshin gjithashtu edhe të paktën 13 “aksesorë” prej agjenti sekret si psh. tymosës për t’u zhdukur, spërkatje vaji në asfalt për të nxjerrë nga rruga makinat që të ndjekin, një automatik që nxjerr tytën nga vrima e sinjalit e shumë të tjera. Të gjitha këto funksione janë të komandueshme nga një bllok komandash të fshehur poshtë mbështetëses së krahut të shoferit.
Ku i dihet, ndoshta lajmi arrin edhe në veshët e admiruesve të shumtë të 007 në Shqipëri, të cilët qarkullojnë në rrugët e bllokut me SUV-e me xhama të zinj me targa “007” që për koinçidencë nganjëherë janë me “timon anglez”. Në fakt e besojmë pak këtë skenar sepse edhe nëse kjo shije e hollë do të gjendej në rrugët tona, nuk do të kishte një vend ku një Aston Martin e tillë të qarkullonte denjësisht, pasi në tregun tonë aktual, valuta më e kërkuar është zakonisht një “Reinxh” me xhama të zinj 😊