Mirësevjen Hyundai Ioniq!
Debuton projekti i parë 100% elektrik
“Your home away from home” – Shtëpia juaj kur jeni larg shtëpisë, ishte një nga fjalitë më të goditura në prezantimin e modelit të parë ekskluzivisht elektrik nga kolosi korean.
Hyundai Ioniq 5 sjell në treg modelin që sjell një frymë të re të përgjithshme që përfshin çdo detaj. Kjo për të dalluar makinat e një gjenerate që shkëpusin lidhjet me të kaluarën dhe na ofrojnë një hapësirë të re të ndërlidhur dhe të shërbyer në një mënyrë të re me të cilën në të vërtetë duhet ende të mësohemi.
Ioniq, përveç modelit 5 duket se sjell një familje makinash që më tej do të kenë emra të tjerë shifrorë siç mund të jenë 6 ose 7, duke sjellë modele më të mëdhenj, më të lartë (Suv) etj.
Ioniq 5 vjen me një design të veçantë, me linja gjeometrike dhe të prera, por me një formë dinamike që ruan frymën e një hatchback-u që të shkel syrin dhe të fton në timon. Hyundai Ioniq 5 është e ndërtuar në një platformë të re të dedikuar ekskluzivisht mjeteve elektrike. Gjatësia totale e makinës është 4.63 m ndërsa distanca ndërmjet dy akseve është 3.5 metra, gjë që premton hapësirë dhe komoditet në bord. Edhe bagazhi është i bollshëm, nga 531 litra deri në 1.591 litra me sediljen e pasme të palosur. Surprizë këtu është një hapësirë përpara ku mund të ngarkojmë deri në 57 litra, që mund të reduktohen disi në njësitë me motorët më të fuqishëm.
Nga ana e design-it, Ioniq 5 është diçka e re, moderne sjell elementë të rinj për markën si kapaku i motorit që është i bashkuar me pjesën e sipërme të parafangove, dorezat e dyerve që “zhduken” duke u integruar në trup të dyerve apo maskerino me Led e mbyllur tërësisht. Këtu integrohen dritat e ditës si para ashtu edhe mbrapa.
Nga brenda hapësira përveç se vërtet e madhe dhe përtej të bollshmes për kategorinë, është e mbushur me elementë teknologjikë si ekranet led dhe materiale të ricilkuara dhe ekologjike.
Nuk ka më një bllok komandash në zonën qendrore, si në modelet tradicionale, diku aty midis ekranit të infotainment dhe levës së marshit, por midis sediljes së shoferit dhe pasagjerit të parë gjejmë një “ishull universal” (Universal Island) që lëviz si në shinë para – mbrapa 14 cm dhe i shërben të gjithë pasagjerëve. Sediljet kanë një projektim të ri me një suport të veçantë për këmbët në pozicion relaksi që normalisht duket sikur parashikon një pozicion kur të jemi nën guidën autonome dhe shoferi të ketë nevojë për një pushim të vërtetë.
Shumica e komandave në bord kryhen nga ekranët 12″ ku ai i shoferit projekton edhe informacionet e rëndësishme nëpërmjet “head-up display” me realitetin virtual të rritur.
Versioni i parë i baterisë 58 kWh është 2WD dhe 170 kuaj fuqi ndërsa versioni 4WD me të njëjtën bateri kady motorë, përpara me 72 kuaj fuqi dhe mbrapa me 163 kuaj.
Me baterinë 72,6 kWh versioni me dy rrota aktive (përpara) ka një fuqi të rritur në nivelin 218 kuaj fuqi ndërsa versioni integral 4×4 ka 95 kuaj fuqi në aksin e parë dhe 211 kuaj në aksin e pasëm. Përshpejtimet nga 0 – 100km/h variojnë nga 5,2 në 8.5 sekonda ndërsa autonomia duhet të jetë diku midis 450 dhe 500 km, ende në fazë kolaudimi final dhe homologimi në librezën e makinës.
Hyundai Ioniq 5 mund të karikohet deri në 80% të autonomisë për vetëm 18 minuta ndërsa i mjaftojnë vetëm pesë minuta për të bërë 100 km, pra për të bërë rrugën Tiranë – Durrës vajtje – ardhje. Kjo është e mundur nëse rrjeti është me fuqi 350 kW dhe 820 volt. Ndërkohë interesant është edhe funksioni V2L që lejon karikimin e aparateve të tjera si psh një biçikletë elektrike, etj.
Hyundai Ioniq është e pasur me sistemet Adas që sjellin funksionin Highway Driving Assist 2 i cili mundëson edhe ndërrimin e korsisë në mënyrë autonome në autostradë, në varësi të trafikut, Forward Collision-Avoidance Assist, që eviton përplasjen apo Blind-Spot Collision-Avoidance Assist, që pengon ndërrimin e korsisë nëse në këndin e verbër ka një mjet që syri ynë nuk e shikon.
Në Europë Hyundai Ioniq 5 mund të porositet diku nga fillimi i verës ndërsa për në Shqipëri ende nuk kemi një datë konkrete, por pritshmëria është gjithsesi brenda vitit.