na ndiq ne

Mercedes X Class

22/11/2017

Pick-up është një model specifik makine i cili zakonisht bazohet në një karroceri të llojit “Fuoristrada” ose “Off-road”. Ndonëse jo shumë e përhapur në Shqipëri dhe në Europë, në shumë vende të Amerikës Veriore dhe Jugore por edhe  më gjerë, pick-up është një makinë e dobishme dhe shumë e preferuar. Në publikimin tonë  “100 makinat më të shitura në botë” për 2016 një listë e gjatë modelesh pick-up e konfirmon këtë.

Megjithëse për disa prodhimi i një pick-up për Mercedesin mund të tingëllojë si tentativë e re, të apasionuarit e markës ndoshta mbajnë mend që Mercedesi në të kaluarën ka prodhuar makina pick up. Kujtojmë këtu modelin W136 në vitet ‘30 dhe W114 në vitet degli ‘60 dhe ‘70. Këto modele nuk kanë patur suksesin e dëshiruar prandaj prodhuesi gjerman shpreson të godasë në shenjë kësaj here.

Kjo makinë është e gjatë 534 cm dhe në të mund të ngarkosh sende jo shumë impenjative. Në brendësi është ndërtuar me materiale cilësore duke patur në shënjestër konkurrentët e saj si Ford Ranger, Fiat Fullback dhe Volkswagen Amarok, më të vjetër se X Class në këtë segment.

Mercedes X Class teknikisht ndërtohet mbi bazën e Nissan Navara NP300, projekt për të cilin është lidhur edhe një marrëveshje me grupin franko-japonez Renault-Nissan. Jo rastësisht të dy modelet prodhohen në fabrikën e Nissan në Barcelonë.

Nga Navara NP300, X Class merr bazën mekanike, pjesët teknike dhe motorat. Ndryshimet midis tyre qëndrojnë tek gjatësia më e madhe, kalibrimi i frenave, shasia dhe stili. Ngjashmëria midis dy modeleve vihet re në siluetën anësore me detaje të përbashkëta si p.sh. “prerja” poshtme e xhamit tek dera e pasme. Ndryshimet janë më të dukshme në pjesën e brendshme, ku siç e thamë Mercedes ka përdorur materiale cilësore, të ngjashëm me modelet e saj klasike berlina ose Suv, që përfshijnë përdorimin e lëkurës dhe dekore me efekt druri.

X Class është disponibël në karrocerinë e vetme me katër dyer (Nissan Navara gjendet edhe me dy dyer) në tre versione dhe dy motora.

Versioni Pure duket më i thjeshti dhe ka parakolpin dhe mbrojtëset e xhamave në plastikë. Disqet gjithashtu kanë një design të thjeshtë.

Modeli Progressive ka një pamje më të rafinuar (parakolpi është në të njejtën ngjyrë me karrocerinë), komandat janë vendosur në timon, koka e marshit është e veshur me lëkurë dhe konturet e gojëzave të ajrit të klimatizatorit janë të kromuara.

 Versioni Power është më i pasuri, ka disqe më të mëdha, veshje lëkure tek sedilet dhe kondicioner automatik. Janë disponibël katër motora. Motorët me naftë, që besojmë të jenë të vetmit me interes për tregun tonë, janë me 4 cilindra(2.3 litra), dhe kanë dy versione fuqie X220d me 163 kf dhe X250d me190 kf. Versioni X250d është parashikuar të ketë tërheqje mbrapa ndërsa të versionet e tjera janë me 4 rrota aktive. X220d ofrohet vetëm me kambio manuale me 6 marsha ndërsa për versionet e tjera gjejmë edhe kambion automatike me 7 marshe.

Për të theksuar karakterin e saj aventuresk por që e bën X Class-in një mjet të sigurtë në terrene të vështira, makina është e pajisur edhe me marshat e reduktuara ose “të shkurtra” siç njihen ndryshe.

Çmimi i ketij modeli fillon nga 37.000 euro dhe do të jetë i disponueshëm me porosi pranë koncesionarit zyrtar Mercedes Albania.