na ndiq ne

Mercedes S Class i ri mund të jetë kështu

13/05/2020

Modernizohet versioni më luksoz

Gjenerata aktuale e modelit më luksoz të prodhuesit me yll duket se do të dalë në pension vitin tjetër. Plot tetë vjet nga debuti, modeli aktual S Class që mban siglën W222, do të ketë një pasardhës që ka filluar të dalë thuajse i zbuluar për sytë e kureshtarëve.

Versioni ende pjesërisht i kamufluar që ka filluar të shihet vërdallë, si gjithmonë në traditën Mercedes, ruan frymën e gjeneratave të mëparshme, por na jep përshtypjen se si gjithmonë arrin të rinovohet duke mbetur vetvetja. Linjat e e versionit të ri paraqesin një design më sportiv, i theksuar sidomos në pjesën e pasme. Atje ku rinovimi është edhe më i dukshëm është nga brenda.

Teknologjia është edhe më e pranishme, me ekranët Led edhe më dominantë, ku ndryshimi më i dukshëm është një bllok komandash tërësisht me prekje tek monitori gjigand në qendër të kruskotit. Nëse do të donim të bënim një paralelizëm këtu, diçka të ngjashme e ka amerikania Tesla, por kjo do të ishte gati gati një përçmim sepse në Mercedes, çdo gjë bëhet me stil dhe klas. Thënë kjo, presim që një S Class të dallojë nga aspekte të tjera më të rëndësishme e jo nga një ekran i zmadhuar në kruskot.

Motorizimet, ende për t’u zyrtarizuar, do të jenë njësitë me benzinë 3.000 kubikë me gjashtë cilindra dhe 4.000 kubikë me motor V8. Nuk do të mungojnë motorët me naftë, 3.000 kubikë me gjashtë cilindra, por me siguri vëmendja do të jetë për njësitë hibride. Për më fanatikët, lajm i keq është mungesa e versioneve “të egra” 6.000 kubikë me motor V12, por për këtë fjalën e fundit e ka sektori AMG. Kjo sepse duhet “shpikur” diçka për respektimin e normativave antindotje të cilat vazhdojnë të ashpërsohen duke e kthyer motorin me djegie të brendshme në specie në zhdukje.