na ndiq ne

Mercedes prezanton furgonin elektrik EQT

12/05/2021

Një furgon i vogël ekologjik dhe luksoz

A është e shitshme çdo gjë që është elektrike? apo bën trend? Apo thjesht ka ardhur koha që edhe marka me “yll” nga Shtytgarti të prodhojë një furgon të vogël për të kontrastuar suksesin e Volkswagen Caddy-t?

Vështirë se do të marrim përgjigje për këto pyetje, por fakti është që Mercedes-i ka prezantuar këto ditë një model me të cilin hyn në një segment të ri. Quhet EQT, është një furgon i vogël ekologjik dhe është 100% elektrik. Niveli i luksit dhe standardi premium janë diçka e re për këtë segment ku nuk mungon oferta. Përveç Volkswagen Caddy, këtu gjejmë edhe Ford Tourneo Courier (dhe Connect),  Renault Kangoo (nga e cila EQT merr edhe shasinë), apo modelin chic Peugeot Rifter, etj.

Siç pritet nga një markë premium, EQT ka një design të kuruar dhe deri diku minimalist i cili flet më shumë nëpërmjet kontrasteve të kromuara mbi ngjyrën e zezë me të cilën EQT prezantohet. Teknologjia evidentohet nga prania e elementëve Led dhe një maskerino (e mbyllur) në stil “galaktik” ku spikasin “yjet” në sfondin e zi.

Nga brenda, edhe për efekt të lëkurës së bardhë që vesh shumicën e sipërfaqeve, Mercedesi EQT sjell një ambjent familjar sepse mjaft i ngjashëm në konfigurim dhe design elementësh me modele të tjera serie.

Ambjenti është më i varfër se modelet e tjera Mercedes (natyrisht, jemi në një furgon), por çdo gjë është në vendin e vet. Sistemi MBUX është i njëjtë me atë që gjejmë tek modeli A Class dhe mund të quhet i kompletuar me çdo funksion të nevojshëm për këtë kategori. Në tërësi ambjenti i brendshëm është i këndshëm dhe ergonomik.

EQT është praktik si çdo furgon tjetër i kësaj kategorie me dyert e pasme që hapen në shina, në këtë rast me komandë elektrike, por opsionale (pra me pagesë). Nga ana e përmasave, EQT është 494cm e gjatë, 186cm e gjerë dhe 182cm e lartë. Hapësira për bagazhe është praktikisht e pafundme, sidomos nqs mendojmë që rreshti i tretë i sediljeve mund të hiqet.

Nga ana e sigurisë EQT do të ketë frenim automatik emergjence, ruajtje korsie, cruise control aktiv, etj. Ende asnjë informacion mbi motorizimet, autonominë, kohët e karikimit, etj. Mercedes duket se po teston tregun me prezantimin e këtij projekti dhe me siguri edhe infot e tjera do të zbardhen së shpejti.