Mercedes mendon për makinën robot
Aleancë strategjike me Nvidia për të prodhuar makinën që programohet si celular
Makina nuk do të jetë kurrë më siç e njohim. Mercedes duket se është në një fazë rishikimi të aleancave strategjike. Prodhuesi gjerman nga Shtytgarti më parë kishte një marrëveshje me Bavarinë (BMW) për të bashkuar forcat drejt horizonteve të reja, konkretisht guidës autonome.
Kjo marrëveshje duket se i lë vendin një aleance të re të veçantë për sektorin automobilistik. Nvidia, prodhuesi i microproçesorëve, i grafikës së kompjuterizuar apo videogame-ve është aleati i ti me të cilin Mercedes mendon të zhvillojë teknologjinë e guidës autonome. Nvidia është një kompani rreth 100 vjet më e re (saktësisht është themeluar në vitin 1993). Ky është një fakt i pakundërshtueshëm që tregon se nga çfarë drejtimi po merr automobili.
Nvidia nuk e ka për herë të parë bashkëpunimin me një automjet, edhe pse në rastin e parë nuk ishte një prodhues tradicional, por një makinë e prodhuar nga Sony (kliko këtu për artikullin).
Mercedes dhe Nvidia po mendojnë për një lloj të ri makine që nuk do të ketë më në qendër motorët tradicionalë me pistonë dhe turbina por do të jenë krijime me bazë hardware dhe software, shumë më të ngjashme me një kompjuter me fjalë të tjera. Makinat e reja do të jenë të ndërlidhura dhe do të marrin çdo informacion dhe “update” në kohë reale njësoj si celulari juaj.
Rezultatet e para të kësaj aleance pritet të dalin në vitin 2024. Makina e re do të ketë shumë risi, ndër të cilat, e para do të jetë një menaxhim i centralizuar elektronik. Me fjalë të tjera, makina nuk do të ketë më dhjetëra paketa elektronike për sistemet e ndryshme por një tru qendror komandues në gjendje të ngasë makinën sipas destinacionit që ne do t’i kemi dhënë. Këtë, makina do ta bëjë vetë duke zgjedhur rrugën më të shkurtër në bazë të trafikut, shpejtësisë mesatare dhe shumë informacione të tjera që kompjuteri i bordit do të analizojë në mënyrë autonome.
Kësaj do t’i shtohet mundësia e personalizimit të makinës me dhjetëra aplikacione të cilat çdo përdorues do të mund t’i shkarkojë vetë nga interneti, njësoj si me celularin.
Proçesori që Nvidia do të prodhojë për këtë model quhet Orin dhe do të jetë në gjendje të analizojë dhe proçesojë mbi 200 trilionë operacione në sekondë.
Me anë të këtij proçesori, Mercedes (dhe Nvidia) synon të prodhojë makina që do t’i përshtaten në vazhdimësi edhe normativave ligjore të ndryshme, deri në pikën kur guida autonome e nivelit 4 dhe 5 të jetë një realitet i prekshëm për të gjithë.
E ardhmja duket se po afrohet ndoshta më shpejt nga sa e prisnim. A jeni gati?