Mercedes-Maybach Pullman
Pas një komercializimi jo të suksesshëm të markës Maybach si një markë më vete, kundrejt konkurrencës angleze Rolls/Bentley, Mercedesi ka vendosur të mbyllë projektin Maybach dhe të integrojë këtë emër si një sigël dalluese për modelet e tij më luksoze të S Class.
Pavarësisht se Mercedes Maybach është një makinë superluksoze, duket se për tregje të caktuara dhe për njerëz të caktuar, kjo nuk mjafton, sidomos kur portofoli është i pakursyer. Është ky rasti i një klientele kërkuese të shfrenuar, siç mund të jetë ajo e sheikëve arabë, psh. që shumë prodhues makinash e kanë në shënjestër.
Modeli Maybach Pullman vjen si modeli më ekstrem, duke filluar nga përmasat. Kjo Limousine është e gjatë plot 6.5 metra dhe është gati gati një shpërdorim hapësire nëse e krahasojmë me stilin europian të makinave.
Njësia motorike është 6.000kubikë biturbo që zhvillon 630 kuaj fuqi të cilët e shtyjnë këtë sallon lëvizës nga 0-100km/h për 6.5 sekonda.
Nga ana e design-it Pullman-i ka një maskerino të veçantë ndryshe nga Maybach “i zakonshëm” ndërsa nga brenda ofrohet një kombinim i ri ngjyrash. Falë pajises “2 cabin sound” pasagjerët përpara mund të dëgjojnë muzikë të ndryshme nga ata që ulen mbrapa. Këta të fundit kanë edhe hapësirën më të madhe të imagjinueshme të “zonës së këmbëve”.
Mos pyesni për çmimin sepse “përtojnë” ta thonë të saktë duke u mjaftuar me “rreth gjysëm milioni”, si fillim 😊
Tentativa për të bërë diçka ekskluzive nën siglën Maybach është më se evidente nga ana e prodhuesit gjerman, por shifra e kërkuar na duket e tepruar edhe për një sheik. Aq më shumë nëse mendojmë që konkurrenca angleze në këtë drejtim është sa e vjetër, aq edhe e rinovuar, me modelet e fundit Phantom nga Rolls Royce apo Mulsanne nga Bentley, të cilët prej më shumë se një shekull ndajnë së bashku fronin e segmentit më ekskluziv, deri tani të pacënuar. Ndërkohë që fjalën e ka tregu, si sovran i pakundërshtueshëm, natyrshëm lind pyetja: ju si mendoni?