na ndiq ne

Mercedes GLC 63 AMG

16/11/2017

Mercedes ka prezantuar për shtypin e specializuar të sektorit automotive versionin më të ri të SUV-it të tyre mesatar GLC në variantin AMG 63 4matic. Në pamje të parë të godet pamja sportive e evidentuar nga maskerino AMG Panamericana e cila bëhet kështu tipike e mjeteve të familjes AMG (fillimisht e rezervuar vetëm për versionet GT).


Nga brenda karakteri sportiv dallohet nga sediljet e reja të cilat mbështjellin mirë dhe garantojnë mbajtje dhe siguri në kthesa.
Duket sikur rigjejmë pak nostalgji nga e kaluara në motorin me 8 cilindra biturbo, ndërkohë që shumica e rivalëve GLC-së bazohen në motorë me 6 cilindra. Vëllimi i motorit është 4.000kubikë dhe prodhon dy nivele fuqie: 476 kf në versionin normal dhe 510 kf në versionin S. Kambio është automatike AMG Speedshift MCT me nëntë marsha të shkurtër dhe të shpejtë.

Koha e përshpejtimit është e rrallë jo vetëm për kategorinë SUV por edhe për një sportive të vërtetë. 4 sekonda nga 0 – 100 km/h për GLC 63 AMG bëhen 3.8 sekonda në rastin e versionit S.
Guida asistohet nga sistemi AMG Performance 4MATIC+ i cili mund të zhvendosë tërheqjen nga aksi përpara në atë mbrapa deri në 100%. Kjo veçori duhet t’i garantojë shoferit kontroll të plotë mbi aksin dhe rrotën që ka puthitjen më të mirë me terrenin në çdo situatë pavarësisht nëse është në terren të thatë, të lagur ose në borë. Karakteristikat e përgjithshme të makinës janë të konfigurueshme nëpërmjet përzgjedhësit kompjuterik i cili ofron programet “Comfort”, “Sport”, “Sport+” dhe “Individual”.


Amortizatorët janë me ajër dhe diferenciali i pasëm është autobllokues mekanik në rastin e GLC 63 ndërsa është autobllokues i kontrolluar elektronikisht në rastin e versionit GLC 63 S për një transmetim efiçent të fuqisë.
Sipas të dhënave zyrtare, kjo GLC nuk duket as shumë e etur në konsum. Deklarohen 10.3 dhe 10.7 litra/100km, por duke parë nivelin e lartë të fuqisë dhe performancës, ky konsum mund të konsiderohet si i ulët, pavarësisht se çmimi i karburantit vazhdon të rritet.