na ndiq ne

Mercedes G Class 2018

21/01/2018

Viti 1979 ka qenë një vit i rëndësishëm plot me evenimente historike teknologjike, si p.sh. shpikjen (e harruar tashmë) të walkman-it të parë nga Sony apo lindja e kampionit të motoçiklizmit Valentino Rossi. Në vitin 1979 Mercedes-i prezanton për herë të parë modelin G Class, një fuoristradë e mirëfilltë 4×4, që lindi si përgjigjia gjermane e fuoristradave japoneze dhe angleze. Që atëherë, G-Class ka qenë një ikonë e makinës fuoristradë nga prodhuesi i Shtutgardit.

Në 2018, në sallonin e autos në Detroit, Mercedesi propozon modelin e ri totalisht të rinovuar. Rinovimi në fakt është thuajse i padukshëm nëse nuk vërejmë disa detaje të vogla si p.sh. fenerët Led, të cilët nga forma mbeten të rrumbullakët si në çdo model tjetër parardhës. Të pandryshuara mbeten edhe disa detaje pjesë e identitetit, siç janë psh. menteshat dyerve të cilat janë të jashtme dhe të dukshme dhe nqs nuk do të ishte një G-Class, do të na dukeshin si të realizuara nga llamarinisti i lagjes.

Ndërkohë, Mercedes garanton se ky model është tërësisht i ri “nën lëkurë” dhe në çdo aspekt tjetër duke filluar nga përmasat: G Class e re është 12cm më e gjerë se modeli paraardhës dhe 5 cm më e gjatë. Përfiton në këtë rast e gjithë hapësira e brendshme në dispozicion të pasagjerëve. Pavarësisht se përmasat rriten, pesha në tëkundërt zvogëlohet me 170kg më pak se modeli paraardhës. Përdorimi i aluminit në ndërtimin e telajos në vend të çelikut duket se bën punën e tij.

Ndërtimi i saj mbetet sërish tepër tradicional në një “stil” që nuk ndiqet më nga asnjë prodhues: telajo është e ndarë nga çdo element i karrocerisë. Amortizatorët e parë janë të llojit “katërkëndësh” ndërsa timoni është i asistuar në mënyrë elektrike.

Në aksin e pasëm gjejmë një urë solide por që nuk përjashton elementë risie si “mbështetjen në krahë shtesë” të cilët përmirësojnë amortizimin e çdo parregullsie në rrugë apo jashtë rruge.

Me gjithë teknologjitë që përmirësojnë performancën e G Class në rrugë të asfaltuar, përdorimi jashtë asfaltit mbetet vendi ku G class duket të jetë në abitatin e saj natyral. Pikërisht për këtë përdorim duket se Mercedesi ofron këtu programin G-drive, i menduar për ekspeditat jashtë rrugëve “monotone” të qytetit.

Për sa i përket motorit, për momentin mund të “zgjidhet” vetëm versioni G500 i cili bazohet në motorin 4.000 kubikë me benzinë, me 422kf dhe 620 Nm vlerë e momentit rrotullues. Kambio është automatike me nëntë marsha dhe ofron opsionin e marshave “të shkurtër”, i nevojshëm për terrene të vështira.

Konsumi i deklaruar nga Mercedes është 11litra/100km dhe nuk duket keq duke llogaritur përmasat e makinës dhe fuqinë e motorit.

Së shpejti Mercedes do të ofrojë edhe njësi të tjera motorike që përfshijnë modelet hibride dhe ato me naftë.

Njësitë me naftë do të bazohen në motorin 3.000 kubikë me gjashtë cilindra në linjë (jo më në formë V). Do të parashikohet edhe një version sportiv AMG i bazuar në motorin 4.0 me 600kf. Në rastin e modeleve hibride ato mund të jenë jo me karikim (plug-in) por “mild hybrid” të bazuara në sistemin tashmë të njohur 48volt.

G Class propozohet në Gjermani me një çmim fillestar prej 107.000eur (në Gjermani) të cilat ndryshojnë më tej nga sistemi i taksimit të çdo shteti. Çmimet në Shqipëri do të zyrtarizohen së shpejti nga Mercedes Albania.