Mercedes EQB
Binjakja elektrike vazhdon kolaudimet
Pas debutit të modelit Suv elektrik EQC (lexo këtu artikullin e prezantimit) prodhuesi nga Shtytgarti është duke e zgjeruar ofertën e tij elektrike. Versioni që është duke kryer një fazë intensive testimesh në këtë periudhë është EQB, binjaku i SUV-it GLB.
Disa foto “spiune” kanë pikasur modelin e kamufluar me adesivë të qarkullojë në rrugë, gjë që tregon që jemi në fazat finale të testimeve.
Mercedes-i EQB do të jetë i pajisur vetëm me motorë elektrikë dhe pavarësisht se do të jetë bazuar në shasinë dhe detajet teknologjike të binjakut nga ku derivon, do të ketë edhe disa veçori stilistike për ta dalluar atë si një nga modelet e linjës EQ. Pritet të ndryshojë në këtë drejtim design i fenerëve dhe të dritave të pasme, maskerino (që nuk ka nevojë të fusi ajër për ftohjen e radiatorit), mungesa e tubave të shkarkimit të gazrave. Në njëfarë mënyre, nga ana e stilit, EQB pritet të ngjasojë më shumë me EQC sesa me GLB.
Ende nuk kemi informacione zyrtare mbi njësinë motorike, baterinë e përzgjedhur, autonominë dhe performancën, por këto do të vijnë në kohën e prezantimit zyrtar. EQC ishte e pajisur me bateri me njësi motorike ione Lithiumi dhe motor me 408 kuaj fuqi. Autonomia ishte rreth 450 km dhe tërheqja 4×4.
Në rastin e EQB do të ishte me vend ndoshta edhe një version më ekonomik, si në konsum ashtu edhe në çmim me tërheqje vetëm 2×2, idealisht në aksin e parë, por këto do të mbeten vetëm hipoteza, pasi Mercedes ka në zhvillim edhe dy modele të tjera: EQA dhe EQS, detajet teknologjike të të cilëve ende nuk i njohim. I pari do të jetë binjaku ekologjik i Suv-it më të vogël Mercedes GLA ndërsa i dyti është një sedan luksoz i ndërtuar mbi bazën e prototipit Vision EQS.
Për të gjithë fansat e teknologjisë elektrike nga prodhuesi me yll, me sa duket e ardhmja është premtuese.