na ndiq ne

Mercedes CLS e re

30/11/2017

Mercedes Benz është një kompani e mirënjohur ndër të tjera edhe për çeljen e segmenteve të reja duke propozuar risi dhe modele të ndryshme. Një nga modelet më  interesante është me siguri coupé-ja luksoze me katër dyer CLS, e cila erdhi në treg për herë të parë në vitin 2003.

Dje Mercedesi prezantoi modelin e ri të CLS-së, e i cili vjen kështu në gjeneratën e tretë dhe prezanton frymën dhe stilin e ri të prodhuesit nga Shtutgarti. Linjat dhe format bëhen më të thjeshta duke përfshirë disa elementë që do të përdoren në vijim edhe në modelet e tjera.

Maskerino zgjerohet nga ana e poshtme duke integruar nga të dy anët fenerët LED me në qendër logon me yll të rrethuar nga konstelacioni tipik i pranishëm edhe në disa modele të tjera të prezantuara së fundmi.

Në profil, linjat janë më të rrumullakëta dhe të pastra krahasuar me modelin paraardhës. Fenerët integrohen në mënyrë të theksuar në profil dhe dritaret që ngushtësohen theksojnë vokacionin sportiv. Në pjesën e pasme gjejmë sërish fenerë Led me efekt tridimensional të niveluar 100% me pjesët metalike të sipërfaqes. Parakolpi i pasëm rezulton më i ngritur krahasuar modelin paraardhës dhe integron në të dy anët e pjesës së poshtme skapamentot me design elegant.

Nga brenda CLS e re vjen gjithashtu me elementë risie që përfshijnë gojëzat e klimatizatorit të ndriçuara ku ngjyra ndryshon tonalitet në bazë të temperaturës dhe përfshin si në modelet aktuale ekranin e madh 12.3” i cili shërben për funksionet e kuadrit dixhital dhe të infotainment.

Ndriçimi i brendshëm ofron deri në 64 ngjyra dhe tonalitete dhe programet e masazhit përfshijë edhe programe “energizing” për momentet kur shoferi ndihet i lodhur.

Risi absolute është fakti që ky model parashikon pesë vende dhe jo më katër si në të kaluarën (edhe për t’i qëndruar konkurrencës së Audit-t A7) dhe nga ana e komoditetit ofrohet (me pagesë ekstra) sistemi Dynamic Body Control i cili parashikon gradimin Comfort, Sport dhe Sport+. Përveç kësaj një paketë më vete është edhe mundësia e amortizatorëve me ajër.

Vijmë tani tek “zemra” e çdo coupé-je: për herë të parë, CLS bëhet edhe hibride. Versioni i propozuar quhet EQ Boost dhe përdor një sistem 48 volt që rrit performancën dhe efiçencën.

Versionet mild hybrid CLS 450 4matic bazohen në një motor benzine 3.0 me 367 kf dhe 500 Nm si moment rrotullues. Motori elektrik shtesë ofron 22 kf dhe shërben edhe si motorino për ndezjen përveç ndihmës në fazë përshpejtimi dhe në shpejtësi konstante. Kjo njësi motorike e shtyn CLS-në nga 0 – 100 km/h për vetëm 4.8 sekonda. Konsumi i deklaruar është 7.5 l/100 km.

Versioni CLS 350 d 4Matic (me naftë), me shumë interes për tregun tonë, pavarësisht se në këtë coupé nuk na duket zgjedhja ideale, ofron fuqi 286kf dhe një moment rrotullues prej 600 Nm. Përshpejtimi nga 0-100 është 5.7 sekonda dhe konsumi i deklaruar është 5.6 l/100km.

Intelligent Drive është një nga gjërat që CLS trashëgon nga motra e madhe S Class dhe përfshin edhe komunikimin e makinës me “botën” nëpërmjet GPS dhe sistemeve radar.

Asistenca në guidë propozon nivele të ndryshme duke filluar me leximin e tabelave rrugore, frenimin aktiv (psh në rast kalimtarësh që ndërpresin rrugën apo makina që ndalojnë befas), etj.

Me kërkesë (dhe pagesë ekstra) CLS mund të pajiset me Cruise Control aktiv, asistencë në frenim, timon aktiv automatik që detekton pengesat dhe reagon për të evituar përplasjet e mundshme.

Sistemet e vrojtimit të zonave të verbëra së bashku me Distronic kombinohen me timonin aktiv dhe mund të ruajnë distancën nga mjeti që është përpara së bashku me ruajtjen e korsisë.