Mercedes C Class: gati për modelin e ri?
Duket se Mercedesi është duke punuar intensivisht për gjeneratën e re të modelit C Class. Sipas historikut të këtij modeli, jeta mesatare ka qenë 7-8 vjet në shumicën e rasteve, gjë që do të respektohej nëse modeli i ri do të prezantohej në 2021, ndërsa nëse do të prezantohej në 2020, do të ishte paksa i nxituar, por me sa duket, duhen bërë llogaritë edhe me konkurrencën. Nga imazhet e modelit te kamufluar të parë aty këtu nëpër Europë duke bërë teste të sistemeve të ndryshme, duket se C Class i ri do të vazhdojë të ndjekë gjurmët e modelit aktual nga ana e linjave dhe design-it.
Po kështu duket të jetë edhe madhësia, megjithëse nuk është e thjeshtë ta themi këtë në këtë moment, pavarësisht se duket një arsyetim i faktit që modeli i ri do të ndërtohet mbi një shasi të ngjashme me MRA, që është shasia e modelit aktual.
Nga Shtutgarti informojnë se modeli i ri do të përdorë më shumë alumin në ndërtimin e tij, gjë e mirë për sa i përket reduktimit të peshës, në dobi të efiçencës dhe konsumit.
Nga brenda, C Class i ri do të ndryshojë më shumë sesa nga jashtë. Duke qenë se do të “frymëzohet” nga vëllai i madh S Class (edhe ai në përpunim të modelit pasardhës) mund të marrë nga ai elementë si ekrani i madh infotainment, i vendosur në formë vertikale, pak në stil “Tesla” gjë që nuk e kemi pëlqyer shumë në fakt. Teknologjia do të jetë e njohura MBUX, me siguri me ndonjë përmirësim të rastit.
Nga ana e ADAS (sistemeve ndihmëse në guidë) më në fund duket se Mercedesi do të debutojë në guidën autonome të nivelit të tretë.
Motorizimet do të kenë risi nga ana e energjisë “jeshile” duke krijuar hapësira në telajo për bateritë që do të përdoren në rastin e versioneve hibrie plug-in. Deri tani në Shtytgart flasin vetëm për motorë me 4 cilindra. Të jetë vallë fundi i motorëve me gjashtë cilindra? Nuk do të ishte kaq e paimagjinueshme, duke qenë se që tani është garantuar edhe një model 100% elektrik për të gjithë ata që janë gati t’i thonë lamtumirë benzinës dhe naftës. Do të ishte ky rasti edhe për Shqipëri?
Në web gjenden edhe disa foto mbi si e presin të jetë C Class i ri. Dy prej tyre (dy të fundit) i sollëm këtu për një test të vogël. Ju duket se këto fantazi shkojnë drejt asaj që duhet të jetë modeli i ri?