Mercedes AMG C63 nuk do të ketë më motorin V8?
Nga Shtytgarti vijnë lajme jo të mira për sedanin C Class. Në çdo seri, ky model na ka ngacmuar fantazinë (dhe nganjëherë shpresën) me modele ekstreme si C63 AMG.
Çështja është që në epokën “pre-elektrike” risitë nganjëherë janë surpriza jo fort të këndshme, sidomos për më tradicionalistët. Për të hyrë në temë, versioni i ri sportiv i sedanit familjar pritet të ketë një fuqi prej 500 kuajsh, por motori më i madh mund të jetë ai 2.000 kubikë me benzinë që kemi parë në modelin AMG A45. Habia është e dyfishtë. Nga njëra anë, motori V8 ka qenë një lavdi më vete që shpesh ka furnizuar edhe prodhues të tjerë të nivelit të Aston Martin. Nga ana tjetër, një motor 2.000 kubikë me mbi 500 kuaj fuqi është një njësi e denjë garash, por shumë ekstrem për jetën e përditshme. Risia (ose surpriza) qëndron në faktin që ky model ndjek rrugën që po ndjekin shumë supersportive të tjera, me fjalë të tjera, po “elektrifikohet”.
Ku bazohet kjo zgjedhje? Nëse do të konfirmohet zyrtarisht, themi se nga njëra anë janë normativat antindotje që ashpërsohen përditë e më shumë dhe nga ana tjetër progresi teknologjik.
Po a duhet të shqetësohemi vërtet? Për tifozët më fanatikë të njësisë V8 AMG do të duhet të mendojnë për modelet superiore ku V8 do të vazhdojë të përdoret. Ndërkohë, kompleksi motorik benzinë + korent duket sërish interesant duke premtuar dy gjëra: konsum të reduktuar dhe fuqi progresive.
Njësia motorike e pagëzuar M139 është në gjendje të zhvillojë dy nivele fuqish, përkatësisht 387 dhe 421 kuaj fuqi. Ky motor është edhe tepër fleksibël nga ana mekanike duke mundësuar montimin paralel dhe pingul me aksin e përparmë (në rastin parë i referohemi AMG A45 ndërsa në të dytin AMG C63. Kambio do të jetë automatike ndërsa tërheqja do të jetë integrale.
Diçka e ngjashme do të parashikohet edhe për versionin më pak të fuqishëm AMG C43, që do të arrijë në kuotën 400 kuaj fuqi, që sërish nuk janë pak.
Nuk mbetet gjë tjetër përveç se të presim lajmin zyrtar nga Mercedes Benz me shpresën që V8 të vazhdojë të mbetet në treg edhe për tifozët e sedanit C Class AMG.