na ndiq ne

Mercedes A Class Sedan

23/07/2018

Fjala “efiçencë” në botën e makinave mund të ketë shumë kuptime, por padyshim, nëse duam të flasim për një koncept të plotë, duhet të dallojmë shumë elementë, të gjithë të rëndësishëm. Një nga këta elementë është edhe aerodinamika, për sa kohë flasim për modele gjithmonë e më përformantë ku numrat kanë një rëndësi parësore. Mercedesi i ka kushtuar gjithmonë shumë rëndësi aerodinamikës, dëshmi e punës cilësore të inxhinierëve gjermanë.

Modeli në fjalë, Mercedes A Class, do të lançohet edhe në Europë në versionin sedan (ose me tre volume karrocerie) por me një hap më të shkurtër krahasuar me versionin e njëjtë që është lançuar në Kinë.
A Class sedan do të vijë në tregjet Europiane brenda 2018 dhe duket se arrin të mbrojë rekordin e koefiçentit më të ulët aerodinamik, atë që më parë e kishte modeli CLA.


Modeli i ri do të ketë të njëjtën bazë mekanike dhe estetike me versionin “hatchback” të prezantuar edhe nga Automag pak kohë më parë (kliko për artikullin e A Class hatchback). E njëjtë do të jetë edhe distanca ndërmjet dy akseve, 279 cm, që normalisht do të thotë e njëjta hapësirë edhe në kabinë, përveç zonës së “kokës” për pasagjerët e pasëm, që sipas Mercedesit do të jetë ndër më të bollshmet në segmentin C, të makinave kompakte.


CX, ose koefiçenti i aerodinamikës, është një rekord brenda modeleve të vetë Mercedesit, ku ai i mëparshmi ishte vendosur nga modeli CLA në 2013. Koefiçenti në fjalë ishte 0.22, vlerë kjo e përsëritur edhe nga A Class i ri në versionin sedan. Koefiçenti i versionit aktual A Class hatchback është 0.25, por falë një pune të gjatë të inxhinierëve në galerinë e erës, është arritur të optimizohet kjo vlerë duke përmirësuar çdo element. P.sh. makina është e mbyllur 100% nga pjesa e poshtme dhe janë izoluar me guarnicione speciale zonat e fenerëve të parë.


Në disa tregje, do të jetë i mundur edhe një opsion që kufizon ajrin që hyn në motor, për të zvogëluar rezistencën që vjen nga ky proces.
Mercedes A Class sedan do të prodhohet në stabilimentet e Aguascalientes në Meksikë dhe në Rastatt në Gjermani, ndërkohë që projekti është zhvilluar në Sindelfingen, Germany.

Shënim: Fotot e modelit në ngjyrë të kuqe janë nga modeli “concept” i prezantuar në sallonin e Pekinit, ndërkohë që versioni i ri do të ketë disa ndryshime krahasuar me ekzemplarin në këto foto.