Mammoth nga Hennessey
Një përbindësh me 6 rrota dhe 1.200 kuaj fuqi
E mbani mend amerikanen Ram 1500 TRX? E madhe dhe e fuqishme, por ndoshta jo e mjaftueshme për dikë. E mbani mend Hennessey? Atë që ka prodhuar Venom F5, një nga makinat më të shpejta në botë?
Modelet pick-up janë një best seller i padiskutueshëm në disa tregje, sidomos në atë SHBA-së. Aq shumë saqë nganjëherë europianët bëjnë shaka duke thënë që “amerikanët kanë kaluar nga kali tek pick-up-ët 🙂 ) Hennessey, i frymëzuar nga ideja e në modeli pickup ekstrem, mendoi të krijojë një model të veçantë, shumë të veçantë. Jo të fuqishëm, por shumë të fuqishëm. Jo të madh, por shumë të madh.
Quhet Mammoth (Mamuth) dhe është një mjet 6×6 (!) i shtyrë nga një motor i derivuar nga njësia simbol e teknologjisë amerikane. Motori V8 6.200 kubikë Hellcat me 702 kuaj fuqi i ka lënë vendin një versioni special. Njësia e re quhet Hellephant, ka vëllim 7.000 kubikë dhe zhvillon plot 1.200 kuaj fuqi. Përveç kësaj, Mammoth ka edhe amortizatorë të rinj, personalizime të brendshme dhe të jashtme si dhe fenerë të posaçëm Led.
Çmimi për këtë model do të jetë natyrisht i kripur. Flasim për rreth 420.000 euro (500.000 dollarë) dhe ky është çmimi më i shtrenjtë i paguar ndonjëherë për një pick-up. Porositë ndërkohë kanë filluar kështu që nëse keni ndërmend të bëheni pronari i një makine unike me numra rekordi, Mammoth mund të jetë një kandidat i përshtatshëm. Nxitoni!
Disa nga modelet e tjera të zhvilluara më parë janë edhe Velociraptor (zhvilluar mbi bazën e Ford F150) dhe Goliath, i zvilluar mbi bazën e modelit Chevrolet Silverado (në fotot më lart).