na ndiq ne

Makinat më të vjedhura në Itali

24/02/2020

Ka disa njerëz që kënaqen me një makinë çfarëdo edhe pse në fakt kanë mundësi ekonomike për t’i lejuar vetes një makinë luksoze. Nëse i pyet, të thonë që kaq i mjafton dhe se një makinë të bukur që kushton shumë lekë, shpesh e blen për hajdutin.

Kjo mund të tingëllojë disi sipërfaqësore për veshët e dikujt, por vjedhja e makinave është një fenomen global dhe i pandalshëm. Mjafton të kujtojmë kasaphanën që ekzistonte në vendin tonë në vitet 2000 kur çdo makinë e shtrenjtë ishte e vjedhur në perëndim dhe e rishitur në tregun tonë. Nëse kjo ngjan disi e kaluar tashmë, le të shohim çfarë ndodh përtej detit, tek fqinjët tanë italianë.

Në vitin 2018 në Itali janë vjedhur mbi 105.000 makina. Nga këto policia italiane ka gjetur rreth 41.000 prej tyre, një mesatare jo e keqe në dukje, por nga 10 persona që qajnë vjedhjen e makinës së tyre, vetëm 4 lumturohen me gjetjen e saj. Ato që nuk gjenden do të thotë që kanë marrë rrugën për diku larg ose janë përdorur për pjesë këmbimi në tregun e zi. A e dini se ku shkojnë ato që nuk nuk gjenden më? Makinat e vjedhura, sipas raportit të kompanisë LoJack, një kompani e specializuar në gjetjen e makinave të vjedhura, shkojnë në vende të largëta si Lindja e Largët, Brazil, Afrikë por edhe në Serbi, Slloveni dhe në Shqipëri.

A e gjeni dot se në cilën krahinë italiane makina është më e pasigurt?

Vendin e parë e mban Campania, rajoni jugor me qendër qytetin e Napolit, më pas vjen Lazio (me qendër kryeqytetin e Italisë, Romën) e ndjekur nga Puglia, me qendër qytetin e Barit. Vendin e pestë e mban Siçilia, por që renditet pas Lombardisë (me qytetin kryesor Milanon).

Makinat më të dashura nga hajdutët 🙂

Ndoshta tek ne nuk do të ishte modeli më afër mendjes, por makina më e vjedhur në Itali, jo vetëm në 2018 por ndër vite tashmë mbetet Fiat Panda. Vetëm për vitin në fjalë janë vjedhur gati 11.000 të tilla. Më poshtë lista e detajuar e modeleve më të preferuara nga hajdutët italianë dhe përbri sasia e njësive të vjedhura:

  1. Fiat Panda (10.952 vjedhje)
  2. Fiat 500 (7.387 vjedhje)
  3. Fiat Punto (6.560 vjedhje)
  4. Lancia Ypsilon (3.752 vjedhje)
  5. Volkswagen Golf (2.661 vjedhje)

Modele SUV:

  1. Nissan Qashqai (616 vjedhje)
  2. Range Rover Sport (550 vjedhje)
  3. Range Rover Evoque (416 vjedhje)
  4. Toyota RAV4 (359 vjedhje)
  5. Kia Sportage (287 vjedhje) 

Si vidhen makinat? Ndër metodat më të përdorura sipas policisë italiane është ajo e programimit të një çelësi të ri nëpërmjet prizës së autodiagnostikimit të makinës. Në këtë pikë riprogramimi i çelësit të ri është një çështje sekondash.

Akoma më e thjeshtë duket të jetë për disa makina moderne, të cilat mundësojnë hyrjen në makinë pa çelës. Çelësi i makinës në të tilla modele lëshon vazhdimisht një sinjal që lexohet nga makina në afërsi të saj. Është ky sinjali që hap dyert sapo ne afrohemi tek makina. Për hajdutët, pasi kapin sinjalin që transmeton çelësi është shumë e thjeshtë të duplikojnë një çelës të ri që transmeton të njëjtin. Në këtë pikë e tutje, ndezja e makinës më tej, siç e dijmë, bëhet me butonin “Start” i cili në prani të çelësit të ri në bord nuk krijon më asnjë pengesë.