na ndiq ne

Makina e Vladimir Putin vjen në Europë

27/03/2019

Ju kujtohet Kortezh, makina ekskluzive e Vladimir Putin? Një “jashtë serie” e prodhuar enkas për carin e Rusisë, i cili siç dihet ka pretendime ekstravagante edhe për makinat?

Kortezh lindi si një vepër e krijuar mes shumë aleancash. Nami Research Institute, insitucioni kryesor i sektorit automotive në Rusi, ka bashkëpunuar me Institutin e industrisë ushtarake Rostec dhe Sollers JSC, një grup që përfshin Uaz dhe Kamaz, dy marka ruse që prodhojnë automjete 4×4 dhe kamionë.

Vetura nr. 1 në Rusi është vërtet ekskluzive edhe falë bashkëpunimeve që Nami ka patur me emra perëndimorë si Porsche, për tërheqjen integrale 4×4 dhe sisteme të tjera cilësore.

Në atë kohë u fol që ky model, në forma më pak ekskluzive, do të bëhej i disponueshëm edhe për klientë të tjerë dhe tani marka ruse Aurus, sjell modelet “normale” për klientelën milionere europiane.

Aurus ka prezantuar dy modele të blinduara Senat L600 dhe L700 të cilat do të prodhohen në numër të kufizuar, vetëm 150 njësi. Nëse planet do të ecin sipas synimeve, Aurus do të ndërtojë një fabrikë më të madhe në gjendje të prodhojë deri në 5.000 makina në vit. A do të gjejë treg? Vështirë të thuhet pasi çmimi ende nuk është publikuar, por le të ndalemi tek makina për ta njohur pak më shumë.

Modeli La Senat L600 është i gjatë 5,63 metra me një distancë mes aksesh prej 3.3m ndërsa modeli tjetër S700 (një limuzinë) është e gjatë 6.63 metra duke u bërë kështu një ndër limuzinat më të gjata. Në këtë rast, Senat S700 është edhe më e gjatë se çdo version i konkurrentëve anglezë.

Brenda gjejmë detaje luksovze si frigorifer, gota kristali, ulëset që shtrihen apo sistem infotainment të gjeneratës së fundit.

Nga jashtë Aurus nuk na duket ndonjë gjenialitet kreativ. Nga të gjitha drejtimet e mundshme ngjason shumë me modelet klasike angleze Rolls Royce dhe Bentley. E vërtetë që cilësia duket e mirë, edhe pse jo tamam në stilin anglez, por origjinaliteti ka gjithashtu vlerën e tij kur vjen puna për makina shumë të shtrenjta.

Duke qenë se Aurus Senat do të jenë edhe të blinduara, duhet fuqi e bollshme për t’i lëvizur ato lirisht. Motori është një njësi me 8cilindra në formë V, me vëllim 4.400 kubikë dhe arrin fuqinë 590 kuaj.

 Kambio është automatike me nëntë marsha dhe tërheqja është integrale falë një motori elektrik i vendosur në aksin e pasëm. Aurus njofton se në të ardhmen do të përgatisë një motor më të madh, 6.600 kubikë, me 12 cilindra të vendosur në formë V për një fuqi totale prej 850 kuaj fuqi.