Land Rover Discovery Sport Facelift
Land Rover Discovery Sport është modeli që debutoi për herë të parë në vitin 2015 për të zëvendësuar Freelander, modelin më të vogël të prodhuesit anglez.
Pas katër vitesh në treg, në gjysëm të ciklit mesatar të jetës së çdo modeli, Discovery Sport vjen i rinovuar. I pasur me një miks elementësh, mund të themi që pika e fortë e këtij modeli është ekuilibri midis vetive të tij më të mira. Mendojmë këtu përmasat, hapësirën, motorët, aftësitë për terrene të vështira dhe pse jo edhe çmimin. Ky i fundit mund të jetë i tillë duke menduar nivelin e markës, sepse në fakt nuk është tamam ekonomik.
Modeli i ri bazohet në shasinë PTA (Premium Transverse Architecture), të grupit Jaguar Land Rover, mbi të cilën është ndërtuar edhe Range Rover Evoque (kliko këtu për Range Rover Evoque).
Risi e këtij modeli është prania e motorëve hibridë të llojit “mild hybrid” (me vetë karikim) dhe të llojit “plug-in” ose me karikim nga “priza”. Versioni i parë ndërhyn në shpejtësi të vogla nën 17km/h duke shfrytëzuar energjinë e frenimit për të karikuar bateritë. Duke fikur edhe motorin me ndërhyrjen e këtij mekanizmi, optimizimi arrin deri në 6% kursim karburanti. Nuk është shumë, dakord, por ndoshta mjedisi do ta vlerësojë.
Më me interes do të ishin motorët Plug-in, të cilët kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e fuqisë dhe të uljes së konsumit. Këtu, risi janë njësitë 1.500 kubikë me tre cilindra me benzinë. Një motor i tillë në fakt në një Land Rover nuk na duket tamam ajo që lumturon pronarët e ardhshëm, por koha e kërkon.
Land Rover Discovery Sport me siguri do të ketë edhe motorët tradicionalë me benzinë dhe naftë. Njësitë e benzinës do të jenë motorët e gjeneratës Ingenium, me vëllim 2.000 kubikë, katër cilindra me fuqi 200 dhe 250 kuaj.
Njësitë e naftës do të jenë gjithashtu të bazuara në vëllimin 2.000 kubikë me tre nivele fuqish: 150, 180 dhe 240 kuaj fuqi. Të gjitha versionet do të jenë të pajisura me teknologjinë “mild hybrid” dhe me kambion automatike me nëntë marsha.
Në lidhje me çmimin dhe risitë e tjera të modelit do të duhet të presim mbërritjen e saj në konçesionarin zyrtar Jaguar Land Rover në Shqipëri.