Land Rover Defender përshkon mbi 1.200.000km
A mund të ndryshojë një mit? Kjo pyetje është disi e vështirë, pasi mitet janë të vështirë për t’u ndërtuar dhe për pasojë, jetëgjatë në formën që nuk ka nevojë të ndryshohen. Thënë kjo, një mit duhet të jetojë brenda kohës dhe me siguri ka qenë pikërisht ky arsyetimi mbitë cilën prodhuesi anglez Land Rover vendosi të prodhojë një model të ri të fuoristradës legjendare Defender.
Imazhet që po sjellim janë ato zyrtaret të ofruara nga vetë Land Rover. Në këto imazhe, edhe pse makina është e veshur me adezivë, duket qartë forma e modelit të ri që do të jetë totalisht ndryshe nga modeli aktual, ose më saktë, nga modeli i vjetër, pasi ka disa vite që nuk prodhohet më. Modeli i ri do të jetë në linjë me design-in e ri të markës, edhe pse, për t’i dhënë më shumë karakter këtij modeli të veçantë, do të ruajë më shumë cepat dhe këndet e theksuara, ndërkohë që modelet aktuale janë më të rrumbullakosur dhe harmonizuar.
Modeli i ri është gjithmonë e më afër formës finale por vazhdimisht nën prova gjatë kolaudimeve 360 gradë që modeli duhet të kalojë. 2020, që është edhe viti i parashikuar për lançim, është afër tashmë dhe ekzemplarët e prodhuar për kolaudime kanë përshkuar deri tani më shumë se 1.200.000 kilometra. Kjo shifër bëhet më domethënëse kur zbulon se këto kilometra provë janë kryer në 11 shtete në tre kontinente, për të tesuar makinën në kushte atmosferike nga më të ndryshmet. Kështu, Kalifornia është përzgjedhur për terrenin shkëmbor, Suedia për temperaturat e ulëta, Emiratet Arabe për temperaturat e larta, etj. Në Kenia prova është bërë edhe më interesante duke ofruar që disa eksemplarë të jenë makinat e shërbimit në parkun natyral Borana Conservancy, duke tërhequr pesha të rënda e ne kalimin e shtreterve te lumenjve.
Edhe pse nuk është terreni për të cilin ne e zgjedhim një fuoristradë ekstreme, Defenderi i ri ka bërë edhe një seri xhirosh në pistë për të verifikuar stabilitetin e saj në këtë pistë impenjative. Xhirot në pistë kanë edhe një arsye tjetër: struktura e re e Defender-it do të jetë e derdhur në një bllok të vetëm, me përforcime në zona të caktuara, që teorikisht është më e përshtatshme për guidën në shpejtësi të mëdha në rrugë të asfaltuara. Pavarësisht kësaj, Land Rover premton se modeli i ri do të ruajë gjithmonë vetitë e tij për terrenet e vështira, i mbështetur edhe nga teknologjia aktuale, pavarësisht përmirësimeve në guidën e shpejtë.